Shkruar nga Maringlen Zhivani
Tashmë gjithçka është zyrtare… Ish-trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç, ka nisur aventurën e re në futbollin kosovar, duke marrë drejtimin e Malishevës. Ashtu siç ka raportuar më herët “Shkodra Sport”, tekniku gjerman kishte arritur marrëveshjen me klubin nga Malisheva dhe tashmë konfirmimi ka ardhur edhe zyrtarisht. Ai është prezantuar pasditen e sotme para skuadrës nga drejtuesit e klubit.
Brdariç, i cili këtë sezon drejtoi Drenicën, do të vijojë sërish punën në futbollin kosovar për një sfidë të re në karrierën e tij. Drejtuesit e Malishevës kanë vendosur t’i besojnë eksperiencës së tij të pasur ndërkombëtare, me synimin për t’u paraqitur sa më mirë në Kupat e Europës dhe për ta mbajtur skuadrën mes pretendentëve të Superligës së Kosovës gjatë sezonit të ri.
Në karrierën e tij, Brdariç ka lënë gjurmë edhe te Vllaznia, ku arriti të fitonte edhe Kupën e Shqipërisë në sezonin 2020-2021. Në fakt, “Shkodra Sport” ishte media që e raportoi e para këtë lëvizje, ndërsa tashmë gjithçka është konfirmuar edhe nga vetë fotoja e Brdariç në stërvitje.
Interesant mbetet fakti se Brdariç do të përballet shumë shpejt me ish-skuadrën e tij. Vllaznia dhe Malisheva do të ndeshen në arenën europiane, teksa trajneri gjerman do të jetë në krahun e kundërt ndaj ekipit që e drejtoi në dy periudha të ndryshme dhe me të cilin arriti suksese të rëndësishme.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


