Ditën e djeshme Vllaznia ka mësuar emrin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshet në turin e parë të kompeticionit europian “Conference League”. Goglat e kanë vënë atë përballë vëllezërve kosovarë të Malishevës me ndeshjet që do të luhen më 9 korrik në “Loro Boriçi” dhe me 16 korrik në Prishtinë.
Por ndërkohë sot në ora 14:00 do të hidhet edhe shorti i turit të dytë të këtij kompeticioni. Mëngjesin e sotëm UEFA ka ndarë edhe grupet ku shkodranët do të jenë pjesë e grupit 6, por tashmë jo tek favoritët siç ishin në shortin e turit të parë.
Në rast kalimi të Malishevës, Vllaznia do të kishte si kundërshtarë të mundshëm Rapidin e Vjenës, FC Hradec Králové të Çekisë, Hibernian F.C të Skocisë dhe fituesit e çifteve Glentoran F.C. (Irlandë e Veriut) – FK RFS (Letoni) dhe Petrovac (Mali i Zi)- FK Žalgiris (Lituani).
Gjithçka do të vendoset në shortin që do të hidhet mesditën e sotme, megjithatë shkodranët duken të fokusuar maksimalisht tek ndeshja e turit të parë me Malishevën, të cilën do të kërkojnë ta kalojnë me çdo kusht.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



