Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Lirim Kastrati do të vijojë të jetë pjesë e Vllaznisë, duke hedhur poshtë zërat e ditëve të fundit për një largim të mundshëm nga skuadra kuqeblu. Nga burime pranë klubit, “Shkodra Sport” ka mësuar se pas një situate të tensionuar dhe diskutimeve mes palëve, është arritur marrëveshja dhe çdo keqkuptim është lënë pas.
Ky lajm konfirmohet për “Shkodra Sport” edhe nga burime zyrtare pranë vetë Kastratit, i cili ka konfirmuar se do të vijojë të qëndrojë te Vllaznia edhe për sezonin e ri. Futbollisti pritet të vazhdojë normalisht me ekipin sapo të rikuperohet nga dëmtimi dhe të jetë pjesë e projektit për sezonin e ri.
Kështu, Vllaznia siguron një nga lojtarët më të rëndësishëm në repartin ofensiv, ndërsa fokusi tashmë kalon te përgatitjet dhe objektivat për Kupat e Europës dhe sezonin e ardhshëm.
Kastrati pritet t’i bashkohet menjëherë skuadrës në stërvitje sapo të rikuperohet plotësisht nga dëmtimi, duke qenë në dispozicion të stafit teknik dhe trajnerit Edi Martini. Qëndrimi i tij konsiderohet një “goditje” e rëndësishme për stabilitetin e grupit në prag të Kupave të Europës dhe të sezonit të ri.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


