Shkruar nga Endri ÇINARI
Te Vllaznia merkatoja e verës ka hyrë në një fazë dinamike, me kuqeblutë që kanë filluar të lëvizin konkretisht për të plotësuar boshllëqet e sezonit të ri. Klubi shkodran ka zyrtarizuar tashmë tre afrime, ndërsa dy futbollistë të tjerë ndodhen në pritje të finalizimit të marrëveshjeve dhe hedhjes së firmës. Lëvizjet e deritanishme tregojnë një strategji të qartë për të forcuar ekipin në disa pika kyçe të formacionit.
Ajo që bie më shumë në sy është fakti se përforcimet e deritanishme janë përqendruar kryesisht në repartin e mbrojtjes dhe në mesfushë. Drejtuesit kanë synuar të rrisin stabilitetin defensiv dhe të shtojnë alternativa në qarkullimin e topit, duke u përpjekur të rregullojnë disa nga problemet që janë evidentuar në sezonin e kaluar. Ky fokus i qartë tregon një ndërtim gradual të ekipit nga prapavija drejt fazës sulmuese.
Megjithatë, në repartin e sulmit situata mbetet problematike dhe e pambuluar siç duhet. Aktualisht, skuadra vuan një “gropë” të dukshme në këtë sektor, ku mungojnë alternativat dhe konkurrenca për fanellën e titullarit. Pesha e repartit ofensiv ka mbetur thuajse e gjitha mbi shpatullat e Bekim Balajt, i cili mbetet i vetmi sulmues me eksperiencë dhe ndikim të madh në zonën kundërshtare.
Në këtë kontekst, drejtuesit e klubit janë në kërkim të një sulmuesi cilësor që të rrisë nivelin e skuadrës dhe të zgjidhë problemin e finalizimit. Negociatat për disa emra janë në zhvillim, por deri më tani nuk është arritur marrëveshja përfundimtare me asnjë profil që plotëson kërkesat e stafit teknik.
Një nga pistat që ka marrë vëmendje së fundmi është edhe ajo e Rubin Hebajt, por dështimi për të arritur akordin ka prishur disi planet fillestare të merkatos. Tashmë, te Vllaznia urgjenca është e qartë: duhet një goditje në sulm sa më shpejt, për të mos hyrë në sezon me një repart që rrezikon të mbetet pika më e dobët e ekipit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


