Çiklistët e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje të mirë në garat e kampionatit kombëtar që u zhvilluan këtë fundjavë në Belsh. Kanë spikatur veçanërisht Domenik Jaku dhe Luis Margjoni, dy sportistë që janë ngjitur në podium në të dy garat e zhvilluara, atë të kronomentit individual dhe të rezistencës.
Të shtunën u zhvillua gara e kronometrit individual 18 km e gjatë dhe çiklisti i Vllaznisë Domenik Jaku është renditur i dyti për juniorët duke u shpallur në këtë mënyrë nënkampion i Shqipërisë për vitin 2026. Një paraqitje e mirë e këtij sportisti që tregoi një nivel të lartë në performancën e tij.

Po ashtu, çiklisti tjetër i Vllaznisë Luis Margjoni është ngjitur edhe ai në podiumin e kësaj gare, teksa është renditur i treti në Shqipëri në garën e kadetëve e cila ka qenë e gjatë 12 km. Në podium duhet të ishte edhe çiklisti tjetër shkodran Mateo Balaj i cili është renditur i treti në garën e seniorëve, por çuditërisht gjyqtaria ka toleruar çiklistin Leo Piku për një parregullsi duke e zbritur nga vendi i dytë në të tretin, kur në fakt penalizimi duhej të ishte më i rëndë dhe Balaj e meritonte të ishte në podium.

Ditën e djeshme ndërkohë është zhvilluar gara e rezistencës dhe Domenik Jaku sërish ka qenë mes më të mirëve duke u renditur i treti këtë herë në kategorinë junior. Po në vend të tretë është renditur edhe Luis Margjoni në kategorinë kadetë.
Trajneri i Vllaznisë Leonat Kola në një prononcim të shkurtër për Gazeta “Shkodra Sport” shprehet se është përgjithësisht i kënaqur me paraqitjen e të gjithë sportistëve duke veçuar sidomos Domenik Jakun, ndërsa ka vlerësuar edhe performancën e bërë nga Kristel Sota, Mateo Balaj, Alesio Kola dhe Bekim Tafili, të cilët vërtetë nuk u ngjitën në podiumin e fituesve, por duhet përmendur fakti që pjesmarrës në këtë kampionat ishin edhe disa sportistë që stërviten jashtë vendit, të cilët padyshim kanë një nivel më të lartë sepse kanë kushte krejtësisht të tjera në krahasim me sportistët tanë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”



