Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia po përjeton një nga merkatot me ndryshimet më të mëdha të viteve të fundit, teksa deri në këtë pikë të verës numri i largimeve ka shkuar në 10 futbollistë. Një bilanc që tregon qartë se skuadra shkodrane ka hyrë në një proces të fortë rindërtimi, ndërsa drejtuesit kuqeblu përballen me një punë të madhe për të krijuar grupin që do të përfaqësojë ekipin në sezonin e ardhshëm.
Deri tani janë zyrtarizuar vetëm tre afrime, ndërsa dy futbollistë të tjerë pritet të bashkohen shumë shpejt me ekipin. Megjithatë, pavarësisht lëvizjeve të bëra, boshllëku që duhet plotësuar mbetet i konsiderueshëm. Në fakt, nga “Loro Boriçi” është larguar thuajse një formacion i tërë, çka e bën edhe më të vështirë procesin e ndërtimit të skuadrës.
Në repartin e mbrojtjes, Vllaznia ka humbur katër emra të rëndësishëm si Gjini, Bajrami, Esin Hakaj dhe Kuro. Futbollistë që në sezonet e fundit kanë pasur rol të rëndësishëm në prapavijën kuqeblu dhe largimi i tyre lë hapësira të mëdha për t’u mbushur.
Edhe mesfusha ka pësuar ndryshime të thella. Ardit Krymi, Esat Mala, Jago dhe Sala nuk do të jenë më pjesë e skuadrës, duke privuar Vllazninë nga eksperienca, cilësia dhe stabiliteti që këta lojtarë kanë ofruar ndër vite. Pikërisht ky repart shihet si një nga prioritetet kryesore të merkatos për drejtuesit shkodranë.
Ndërkohë, edhe sulmi nuk ka shpëtuar nga ndryshimet. Dodaj dhe Bismark janë larguar, duke reduktuar alternativat në repartin ofensiv. Aktualisht, sulmi mbetet një nga sektorët ku priten ndërhyrje të menjëhershme, pasi skuadra ka nevojë për lojtarë që të garantojnë gola dhe peshë në fazën sulmuese.
Me vetëm pak afrime të konfirmuara deri tani dhe me një numër kaq të madh largimesh, puna e drejtuesve kuqeblu duket se sapo ka nisur. Javët në vijim pritet të jenë vendimtare për Vllazninë, e cila duhet të përshpejtojë lëvizjet në treg për të ndërtuar një ekip konkurrues dhe të aftë për të përballuar objektivat e sezonit të ri.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


