Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Kombëtarja U15 regjistroi një tjetër fitore ndaj Maqedonisë së Veriut, duke triumfuar me rezultatin 2-0 në takimin e dytë miqësor të zhvilluar në Ohër. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gent Mahmuti zhvilloi një paraqitje shumë pozitive, duke kontrolluar lojën dhe duke konkretizuar epërsinë në pjesën e dytë.
Autorët e golave për kuqezinjtë ishin Albion Qorraj dhe Santjago Perkola. Në formacionin titullar e nisi edhe portieri i Vllaznisë, Besardo Ndoj, i cili ishte pjesë e rëndësishme e skuadrës që mbajti portën të paprekur gjatë gjithë takimit.
Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, ndërsa në fraksionin e dytë Shqipëria zhbllokoi rezultatin në minutën e 60-të me Qorrajn. Dhjetë minuta më vonë, Perkola dyfishoi shifrat, duke vulosur fitoren 2-0.
Edhe ndeshja e parë mes dy përfaqësueseve, e zhvilluar në Korçë, përfundoi me fitoren 4-1 për kuqezinjtë, në dy miqësore që shërbyen për të testuar dhe promovuar talentet e reja.


