Pak ditë më parë katërshja e atletëve të Vllaznisë e përbërë nga Franko Burraj, Endri Rakaj, Leandro Çardaku dhe Kolindo Kiri, duke përfaqësuar kombëtaren shqiptare në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua në Volos të Greqisë, arriti të thyente rekordin kombëtar të stafetës 4×100 metra të vendosur plot 21 vite më parë, me kohën 41″24.
Gazeta “Shkodra Sport” por edhe vetë Shoqata e Atletikës Vllaznia, duke iu referuar buletinit të rekordeve kombëtare të vetë Federatës Shqiptare të Atletikës shkruan se rekordi i mëparshëm ishte vendosur nga 4 shkodranë të tjerë, pikërisht nga Arben Makaj, Oltion Luli, Sokol Shepetaja dhe Ilir Xhani në garat e Kupës “Bruno Zauli” të zhvilluara në Slloveni më 6 korrik 1995 me kohën 41″48.
Por në fakt në gjithë këtë mes ka patur një parregullsi të vogël e cila është korigjuar vetëm falë insistimit të ish-kampionit dhe rekordmenit Arben Parmeza. Ai insistonte në dy fakte: E para, data e rekordit të mëparshëm ishte 10 qershor 1995 në Velenje të Sllovenisë dhe jo më 6 korrik të atij viti në Ljubjanë.
Dhe “korigjimi” i dytë kishte të bënte me përbërjen teksa tre atletë rekordmenë ishin të saktë (A.Makaj, O. Luli dhe S. Shepeteja) dhe “gabimi” ishte tek i katërti që nuk ishte Ilir Xhani por Arben Parmeza.
Pra përfundimisht rekordi që u mbajt në fuqi për 31 vite me rradhë ka qenë vendosur nga katërshja e sportistëve e përbërë nga Arben Makaj, Oltion Luli, Sokol Shepeteja dhe Arben Parmeza.
Ky “korigjim” sigurisht që duhet të jetë në vëmendjen e Federatës Shqiptare të Atletikës e cila mbajti në buletinet e saj një rekord të gabuar dhe kjo vjen ngaqë shpeshherë në administratat e institucioneve tona edhe të sportit nuk janë vendosur njerëzit e duhur dhe ato që e bëjnë me korrektesë punën e tyre.
Faleminderit Arben Parmeza për insistimin tënd dhe njëkohësisht ndjesë për informacionin jo të saktë të publikuar (ndonëse jo për fajin tonë) duke çuar në vend një gabim mbi 20 vjeçar.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


