Shkruar nga Endri ÇINARI
Në një kohë kur investimi te moshat shihet si çelësi i suksesit afatgjatë, FC Scutari vazhdon të afirmohet si një nga akademitë private më serioze dhe më premtuese në Shkodër. Nga viti në vit, klubi ka njohur një rritje të vazhdueshme, si në numrin e futbollistëve të regjistruar, ashtu edhe në rezultatet e arritura në fushën e lojës. Sezoni 2025-2026 ishte pa diskutim një nga më të suksesshmit në historinë e akademisë, duke konfirmuar se puna e përditshme me talentet e reja po jep frytet e saj.
Aktualisht, FC Scutari numëron plot 10 ekipe, duke mbuluar të gjitha grupmoshat nga U7 deri te U17. Akademia zhvillon aktivitet me ekipet U7 A dhe B, U9 A dhe B, U11 A dhe B, U13 A dhe B, si dhe U15 e U17. Edhe pse për grupmoshat U7-U11 kampionatet e organizuara nga FSHF nuk zhvillohen me renditje apo pikë, në këto kategori po spikasin një sërë futbollistësh me potencial të madh. Një dëshmi e qartë janë dy vajzat 11-vjeçare, Klea Dacaj dhe Orejsa Rexhepi, të cilat kanë marrë ftesë nga Kombëtarja Rajonale e Vajzave U15, duke treguar cilësinë e punës që zhvillohet në akademi.
Një sezon fantastik zhvilloi edhe ekipi U13, i drejtuar nga trajnerët Met Hasaj dhe Mikel Keshtejaku. Të rinjtë e FC Scutari u shpallën kampionë të Rajonales së Shkodrës, fituan Kupën “Autochthonous” dhe triumfuan edhe në turneun ndërkombëtar “Shkodra Summer Cup”. Bilanci i tyre gjatë gjithë sezonit ishte mbresëlënës, pa asnjë humbje dhe vetëm një barazim. Po aq domethënës është edhe fakti se plot nëntë futbollistë të këtij ekipi janë pjesë e kombëtareve rajonale, pesë në U12 dhe katër në U13. Në katër sezonet e fundit, kjo skuadër është shpallur tre herë kampione dhe vetëm një herë e ka mbyllur kampionatin në vendin e dytë.
Rezultate të shkëlqyera regjistroi edhe ekipi U15, i drejtuar nga Gjilbert Marku. FC Scutari u shpall kampion i Rajonales së Shkodrës dhe më pas zhvilloi një paraqitje shumë të mirë edhe në fazën “play-off” ndërrajonal, ku e mbylli kompeticionin në vendin e dytë. Një sukses që konfirmon vazhdimësinë e punës cilësore në të gjitha grupmoshat e akademisë dhe krijimin e një zinxhiri të fortë zhvillimi për futbollistët e rinj.
Edhe ekipi U17, nën drejtimin e trajnerit Erjon Hasaj, kurorëzoi një sezon të shkëlqyer duke fituar titullin kampion në Rajonalen e Shkodrës. Diferencën në këtë skuadër e bënë kapiteni Milkjor Shpijati dhe zëvendëskapiteni Xhastin Kodraqaj, dy futbollistë të lindur në vitin 2009, ndërsa pjesa tjetër e ekipit përbëhet nga lojtarë të vitlindjes 2010. Kjo e bën FC Scutari të ketë një bazë shumë konkurruese edhe për sezonin e ardhshëm, me pritshmëri të larta për të vijuar sukseset.
Një rol të rëndësishëm në formimin e futbollistëve ka edhe puna me portierët, e cila drejtohet nga një emër i njohur i futbollit shkodran, Isa Sukaj. Prania e tij në akademi është një garanci më shumë për cilësinë e stërvitjes dhe përgatitjen profesionale të gardianëve të së ardhmes. Me trofetë e fituar, numrin e madh të futbollistëve të grumbulluar në kombëtaret rajonale dhe talentet që po dalin çdo vit, FC Scutari po shndërrohet në një nga “fabrikat” më premtuese të futbollit shkodran dhe shqiptar, duke dëshmuar se investimi te moshat është rruga e duhur për të ndërtuar kampionët e së nesërmes.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


