Departamenti i Edukimit në Federatën e Futbollit përmbylli me sukses edicionin e radhës të kursit për trajnerët e licencës UEFA B në zonën e Tiranës, duke diplomuar 29 trajnerë të rinj, mes tyre edhe pesë vajza.
Në mes të diplomuarve janë edhe tre shkodranë dhe pikërisht Edon Hasani dhe Abaz Karakaçi që vazhdojnë të jenë ende aktiv me futbollin e luajtur por tashmë kanë filluar të mendojnë për të ardhmen e tyre si trajnerë. Po ashtu është diplomuar edhe ish- futbollisti Wesli Çomo.
Ceremonia e diplomimit u zhvillua në “Shtëpinë e Futbollit”, në praninë e Drejtorit Teknik të FSHF-së, Abdyl Kuriu, si dhe përfaqësuesve të Departamentit të Edukimit, Drejtori Ardi Behari dhe Alban Tafaj, të cilët organizuan dhe drejtuan të gjithë procesin e formimit profesional të pjesëmarrësve.
Programi i licencës UEFA B u zhvillua përgjatë katër muajve, i ndarë në disa module teorike dhe praktike. Leksionet u mbajtën në “Shtëpinë e Futbollit” dhe në Shkollën e Edukimit në Kamëz, nën drejtimin e specialistëve të Departamentit të Edukimit në FSHF, me synimin për të përgatitur trajnerë të kualifikuar sipas standardeve të UEFA-s dhe për të kontribuar në zhvillimin e futbollit shqiptar.


