Shkruar nga Gjergj KOLA
Kur flasim për atletikën shkodrane, kuptohet që emrat e saj janë të mëdhenj, duke filluar nga ata të parët që nisën të shkruanin historinë e këtij sporti e deri te Franko Burraj, kampioni dhe rekordmeni i padiskutueshëm i viteve të fundit.
Ndërsa kur flasim për trajnerët, kuptohet që vëmendja përqendrohet mbi të gjithë te Feti Dizdari, trajneri që e shpalli ekipin e femrave të Vllaznisë kampion për 15 vite rresht. Për të përmendur më pas edhe emra të tjerë si Hysni Bebeziqi, Syrri Hoti, Gëzim Mema, Vildan Tufi, Isak Bala etj.
Por sot do të ndalemi te një emër që ndoshta për shumëkënd nuk kujton shumë, por në realitet do të thotë shumë për atletikën shkodrane dhe atë shqiptare. E kemi fjalën për Albert Marashin, kryetrajnerin e ekipit të atletikës së Vllaznisë. Po ndalemi te ky personalitet sepse dita e sotme përkon me ditëlindjen e tij. Ai feston 45-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, në emër të Gazetës “Shkodra Sport”, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Ai ka lindur në Shkodër më 3 korrik 1981 dhe, që në rininë e tij, u mor me atletikë, duke u shquar menjëherë për talentin e tij. U shpall kampion në garat e shpejtësisë. Njëkohësisht kreu edhe studimet e larta në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë dhe më pas u rikthye në Shkodër, ku, përveç angazhimit me atletikën, për disa vite mbajti edhe detyrën e inspektorit pranë Sportklub Vllaznia.
Sukseset në sport do të vijonin edhe më tej, derisa një ditë ish-shefi i klubit Vllaznia, Gëzim Mema, vendosi t’i besonte atij detyrën e kryetrajnerit të atletikës së Vllaznisë, detyrë që e kryen me shumë sukses edhe sot e kësaj dite.
Gjatë këtyre viteve që atletika drejtohet prej tij, arritjet kanë qenë të jashtëzakonshme. Mjafton të përmendet fakti se, nga viti 2009 e deri në vitin 2026, pra për 18 vite rresht, Vllaznia në atletikë ka fituar 18 tituj kampionë, 18 Kupa të Shqipërisë dhe po ashtu 18 tituj kampionë me ekipin e të rinjve. Dhe mbi të gjitha sivjet ky ekip festoi fitimin e titullit të 30-të kampion që përbën një rekord, si ekipi me më shumë trofe të fituar në atletikën e meshkujve në Shqipëri.
Një dominim absolut i Vllaznisë së drejtuar prej tij, por edhe falë kontributit të trajnerëve të tjerë, sepse vetë Marashi, në çdo dalje publike, suksesin është përpjekur gjithmonë ta ndajë me bashkëpunëtorët e tij.
Mbase ata që nuk e njohin nga afër sportin e sotëm mund të mendojnë se është e lehtë të shpallesh kampion dhe të fitosh këto trofe, sepse nuk ka konkurrencë. Në fakt, sot është shumë herë më e vështirë të arrihen këto suksese sesa para viteve ’90, sepse vështirësitë janë shumëfish më të mëdha.
Sportistë që largohen çdo ditë, probleme financiare të pafundme dhe kushte stërvitore larg standardeve kanë qenë pjesë e përditshmërisë. Megjithatë, Albert Marashi ka ditur t’i mbajë pranë vetes trajnerët dhe sportistët, duke i motivuar të vazhdojnë punën për të fituar trofe dhe për të nxjerrë kampionë e rekordmenë.
Protagonisti i këtij shkrimi, në fakt, nuk është protagonist në publik, sepse asnjëherë nuk ka dëshiruar të marrë meritat, ndonëse i meriton plotësisht për gjithçka ka bërë dhe vazhdon të bëjë për këtë sport. Ai është vetëm 45 vjeç dhe, me pasionin që e karakterizon, padyshim që ka potencialin të lërë një gjurmë edhe më të madhe në historinë e atletikës shqiptare.
Prandaj ne duhet t’i themi “FALEMINDERIT” këtij njeriu! Në imagjinatën e gjithsecilit ka vend për heronj, por në fakt, në sportin shqiptar, një prej këtyre “heronjve” është edhe Albert Marashi, trajneri i palodhur dhe shumë profesionist, mësuesi i edukimit fizik dhe familjari shembullor.
Ky është profili i njeriut që duhet ta promovojmë dhe ta mbështesim, sepse gjithçka që bën, e bën thjesht nga pasioni. Ajo që përfiton financiarisht nuk përputhet aspak me kontributin e jashtëzakonshëm që jep çdo ditë. Unë, që e njoh nga afër dhe kam punuar me të, e di mirë se Albert Marashi nuk do të kishte dëshirë as t’i shkruheshin këto radhë. Megjithatë, ai meriton shumë më tepër se kaq.
Edhe 100, profesor Albert Marashi!


