Wednesday, July 8, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENga bastet tek arbitri dhe stadiumi, çfarë duhet të dini për duelin...

Nga bastet tek arbitri dhe stadiumi, çfarë duhet të dini për duelin e parë të Vllaznisë në Europë

Shkruar nga Maringlen Zhivani

Vllaznia do të nisë të enjten aventurën europiane, teksa në stadiumin “Loro Boriçi” do të presë Malishevën në ndeshjen e parë të turit të parë kualifikues të Conference League. Përballja do të luhet duke nisur nga ora 20:00 dhe pritet të zhvillohet në një atmosferë të zjarrtë, me mbështetjen e tifozëve shkodranë. UEFA i ka besuar drejtimin e takimit arbitrit gjeorgjian Giorgi Avazashvili, një gjyqtar me eksperiencë në arenën ndërkombëtare.

Statistikat e tij tregojnë se nuk heziton të marrë vendime të rëndësishme gjatë ndeshjeve, ndërsa spikat edhe për numrin e lartë të penalltive të akorduara. Mesatarisht, Avazashvili jep rreth 0.5 penallti për ndeshje, duke u renditur mes arbitrave që ndëshkojnë me vendosmëri kontaktet e diskutueshme në zonë.

Asistentët e tij do të jenë bashkëkombësit Levan Varamishvili dhe Giorgi Gogokhia, ndërsa arbitër i katërt është Koba Revazashvili. Edhe kompanitë e basteve e konsiderojnë Vllazninë favorite për sfidën e parë. Koeficienti për fitoren e kuqebluve varion nga 2.16 deri në 2.25, barazimi kuotohet rreth 3.40-3.45, ndërsa suksesi i Malishevës luhatet nga 2.80 deri në 3.10, çka tregon se pritet një ndeshje e ekuilibruar, edhe pse me një avantazh të lehtë në letër për skuadrën shkodrane.

Për Vllazninë, objektivi është i qartë: të sigurojë një fitore në “Loro Boriçi”, për të udhëtuar më pas me më shumë qetësi drejt Kosovës, ku pas një jave do të luhet ndeshja e kthimit që do të vendosë ekipin që avancon në turin e dytë të Conference League.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments