Pritet zyrtarizimi, por duket se në FSHF e kanë ndarë mendjen. Në sezonin e ri do të fillojë t’u jepet prioritet gjithnjë e më shumë futbollistëve të rinj. Për ta bërë këtë gjë pritet që në sezonin e ri të jetë në fushë nga minuta e parë një futbollist i tillë.
Në fillim u përfol për një futbollist të datëlindjes 2008, por së fundi mësohet se është vendosur që lojtari që do të aktivizohet do të jetë i datëlindjes 2007 (pra 19 vjeç) e më lart.
Po ashtu rregulli i ri e përcakton qartë se ky i ri duhet të luajë së paku 45 minutat e para si titullar dhe pas pjesës së dytë, ai pastaj edhe mund të zëvendësohet me çdo lojtar tjetër pavarësisht moshës së tij. Nga ana tjetër institucioni i futbollit shqiptar ka bërë gati edhe ndëshkimin për skuadrat që nuk do ta zbatojnë këtë rregull, duke ia humbur ndeshjen 0-3 në tavolinë.
Padyshim që një rregull i tillë pritet të ketë impakt pozitiv tek disa skuadra që kanë Akademi të mira, përfshi këtu edhe Vllazninë, për t’i dhën edhe më shumë prioritet punës me elementin e ri dhe promovimin e tyre. Jo më kot, kuqeblutë ditën e djeshme kanë firmosur edhe me dy futbollistë 17 vjeçarë si binjakët Sokol e Simon Uldedaj që konsiderohen elementë të perspektivës.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


