Thursday, July 16, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- futbollistit kampion dhe trajnerit të Vllaznisë, Muc...

ALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- futbollistit kampion dhe trajnerit të Vllaznisë, Muc Koxhja

Shkruar nga Gjergj KOLA

Historia e futbollit shkodran ka qenë e lavdishme sepse që nga momentet e para kur ka filluar të luhet kjo lojë, pjestarët e Vllaznisë kanë qenë gjithmonë protagonistë. Me lojën, talenti dhe klasin e tyre. Dhe njëri prej këtyre personazheve padyshim që ka qenë Muc Koxhja. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 109 vjetorit të lindjes së tij dhe prandaj Gazeta “SHKODRA SPORT” mendon se është një moment i mirë për ta rikthyer në vëmendjen e sportdashësve shkodranë dhe jo vetëm.

Muc Koxhja ka lindur në Shkodër më 17 korrik 1917 dhe me futbollin do të lidhej që në moshë të vogël dhe në vitin 1934, kur ishte vetëm 17 vjeç do të bashkohej me ekipin e Vllaznisë. Shtatëlartë, ai do të spikaste menjëherë në fushat e futbollit, si një mesfushor punëtor dhe inteligjent.

Në ekip Muci do të bëhej lider i padiskutueshëm për vite me radhë. Ishte shembull i lojtarit serioz, tepër korrekt, i aftë psikologjikisht për të mos rënë viktimë e pasioneve instinktive në asnjë situatë të lojës.

Kur Muci ishte në formë të mirë, Vllaznia luante mirë, kur Muci nuk ishte në fushë, apo kishte probleme fizike edhe Vllaznia çalonte, i mungonte elasiciteti dhe frymëmarrja. Muc Koxhja ishte model i lojtarit shembullor, shok i mirë në ekip e në shoqëri, shkruan www.shkodrasport.com

Për arsye punësimi nga fundi i viteve 1939 – 1943 Muci gjendet në Tiranë dhe megjithëse aktivitetet sportive kombëtare pothuaj ishin shënuar si rezultat i luftës së përbotëshme që vazhdonte, prapë se prapë Koxhja krahas punës që bënte nuk u shkëput nga futbolli as në Tiranë, por filloi të aktivizohet në skuadrat e lagjeve të kryeqytetit që vazhdonin traditën e sfidave fubollistike me njëra – tjetrën.

Në Tiranë u aktivizua me skuadrën Naim Frashëri dhe më vonë me Bankën e Napolit, e më pas edhe me përfaqësuesen e Tiranës. Në mesin e vitit 1942 erdhi për një ndeshje përfaqësuesja e Kosovës dhe luajti me përfaqësuesen e Tiranës. Kosovarët e humbën ndeshjen me rezultatin 2:0, krahas Mucit si portier luajti edhe shkodrani tjetër Halit Lacaj që edhe ai punonte në Bankën e Tiranës në atë periudhë.

Po atë vit skuadra përfaqësuese e Tiranës zhvilloi një ndeshje tjetër miqësore me qytetin e Strugës dhe përsëri Tirana fitoi me rezultatin 6:0. Rexhep Spahiu, Teudor Hanxheri e Muc Koxhja qenë treshja më e mirë e 22 lojtarëve në fushë, citon Gazeta “SHKODRA SPORT”.

Muci do të rikthehej më pas në Shkodër duke iu bashkuar Vllaznisë, me të cilën do të ishte një protagonist absolut në fitimin e dy titujve kampionë rradhazi në vitet 1945 dhe 1946, ku ai madje do të mbante edhe shiritin e kapitenit. Një sukses i madh i këtij ekipi në rradhët e të cilit kishte edhe emra të tjerë si Loro Boriçi, Muhamet Dibra, Prek Gjeloshi, Adem Smajli, Xhelal Juka, Ernest Halepjani, Dodë Tahiri, Zyhdi Barbullushi, Beqir Osmani, Bimo Fakja, Xhevdet Shaqiri, Pal Mirashi, Met Vasija, Latif Alibali etj.

Protagonist i këtij shkrimi njëkohësisht ishte edhe anëtar i ekipit tonë kombëtar të atyre viteve dhe ishte planifikuar të ishte pjesë e tij edhe në Kampionatin Ballkanik të vitit 1946 që u zhvillua në Tiranë. Por në një ndeshje miqësore të zhvilluar më 23 gusht të atij viti në Shkup ndaj ekipit të Sindikatave të Maqedonisë (ndeshje të cilën kombëtarja jonë e fitoi 3-1), Muci do dëmtohej në gjurin e djathtë dhe si rrjedhojë e humbi pjesmarrjen në Ballkaniadë. Por ndërkohë falë ndërhyrjes kirurgjikale të mjekut të njohur Shiroka ai do t’i rikthehej sërish futbollit të luajtur pas disa kohësh, por me pengun e madh të humbjes së mundësisë për të luajtur në atë event të rëndësishëm në të cilin Shqipëria siç dihet u shpall Kampione Ballkani.

Karriera sportive e Koxhajt do të vijonte deri në fund të vitit 1950 ku ai do të dëmtohej përsëri dhe kjo bëri që ai të vendoste të braktiste përfundimisht sportin e tij të preferuar. Një karrierë 15 vjeçare me ekipin e Vllaznisë duke lënë pas dy trofe kombëtare të fituara, në vitin 1945 dhe 1946, dy herë nënkampion i Shqipërisë në vitet 1936 dhe 1937 dhe 26 ndeshje ndërkombëtare të zhvilluara kryesisht me fanellën e Vllaznisë, por edhe të Tiranës e të Përfaqësueses, raporton www.shkodrasport.com

Ndërkohë pas lënies së sportit, ai do të niste punë si trajner. Ka drejtuar Punën e Shkodrës (Vllazninë) në vitet 1951 – 1954 duke zënë edhe vende nderi në klasifikim. Në vitin 1953 Komiteti shtetëror i sporteve, Muc Koxhjen në moshë 37 vjeçare e emëron zv/trajner të hungarezit Vadashi, që iu besua drejtimi i përfaqësueses Shqiptare. Kombëtarja jonë më 25 nëntor 1953 arrin një fitore shumë të rëndësishme 2:0 ndaj Polonisë.

Përfaqësuesja e Tiranës me Varshavën po 2:0, në fakt janë po ata lojtarë që luajtën me përfaqësueset vetëm se në këtë ndeshje thirren Tirana e Varshava. Në vitin 1953 në Shkodër, do të drejtonet edhe Punën e Shkodrës në ndeshjen ndaj Stalinogrudi (1:4). Këto janë tre ndeshjet ndërkombëtare si trajner të Mjeshtrit të Sportit Shqiptar Muc Koxhja.

Do të vazhdonte të ishte pjesë e stafeve teknike të Vllaznisë deri në vitin 1961 duke punuar krah emrave të nderuar si Rifat Rusi e Muhamet Dibra. Edhe më vonë do të ishte gjithmonë pranë futbollit me mendimet dhe këshillat e tij.

Muc Koxhja është ndarë nga jeta më 3 prill të vitit 2008 në moshën 91 vjeçare.

Ai është nderuar me titullin “Mjeshtër Sporti” ndërkohë që falë punës së tij si novator i dalluar ai gëzonte edhe tituj të tjerë si “Mjeshtër i Shquar në profesion”, Laureat i “Çmimit të Republikës” dhe “Hero i Punës Socialiste”. Po ashtu është nderuar edhe me titullin “Mirënjohja e Qytetit” të Shkodrës.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments