Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Sulmuesi shkodran Flavio Fusha po vazhdon të lërë gjurmë në fazën përgatitore të Besëlidhjes. Futbollisti 18-vjeçar ishte një nga protagonistët në fitoren 3-1 ndaj Otrant Olympic të Ulqinit, duke shënuar golin e parë të takimit dhe duke konfirmuar potencialin e tij.
Fusha konsiderohet një nga talentet e rinj me perspektivë dhe po shfrytëzon çdo minutë që i jepet nga stafi teknik dhe trajneri Elvis Plori për të treguar vlerat e tij.
Me paraqitjet pozitive në miqësore, ai po forcon kandidaturën për të pasur një rol më të rëndësishëm në skuadrën lezhjane gjatë sezonit të ri. Besëlidhja ka investuar te një grup lojtarësh të rinj e cilësorë dhe Flavio Fusha duket se është një prej emrave që mund të spikasë në Kategorinë e Parë.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, 18-vjeçari shkodran mund të kthehet në një nga zbulimet e sezonit 2026-2027.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


