Shkruar nga Endri ÇINARI
Merkatoja verore e Vllaznisë për sezonin 2026-2027 po ndërtohet mbi një filozofi të qartë nga drejtuesit dhe stafi teknik. Ndryshe nga vitet e fundit, kur në Shkodër mbërritën futbollistë nga kampionate të ndryshme që kishin nevojë për kohë për t’u përshtatur, këtë verë kuqeblutë kanë zgjedhur të investojnë kryesisht te lojtarët që e njohin mirë futbollin shqiptar. Një strategji e tillë synon që skuadra të jetë menjëherë konkurruese, pa humbur javë të tëra me procesin e ambientimit të afrimeve të reja.
Këtë e konfirmojnë edhe lëvizjet e fundit në merkato. Adnard Mehmeti vjen nga Partizani, duke sjellë me vete eksperiencën e fituar në Superioren, ndërsa François Dulysse, edhe pse së fundmi ishte pjesë e futbollit izraelit, më parë ka qenë protagonist me Egnatian dhe e njeh shumë mirë kampionatin shqiptar. Të dy pritet të integrohen shpejt në skemat e Edi Martinit, pasi janë futbollistë që dinë ritmin, karakteristikat dhe kërkesat e Superiorës.
Në të njëjtën linjë janë edhe afrimet e tjera. Patrik Bardhi, i ardhur nga Vora, është një tjetër lojtar që ka dëshmuar vlerat e tij në futbollin shqiptar, ndërsa rikthimi i Herald Markut në Shkodër i jep mesfushës përvojë dhe cilësi. Edhe Kobiljari, i afruar nga Tirana, është një futbollist që e njeh mirë Superioren, ndërsa Musta prej vitesh është një emër i konsoliduar në kampionatin shqiptar. Po kështu, edhe Randi Dumfur, i transferuar nga Skënderbeu, vjen si një tjetër njohës i mirë i elitës së futbollit shqiptar, duke e forcuar edhe më shumë këtë strategji të klubit.
Edhe afrimet nga rajoni ndjekin të njëjtën logjikë. Latifi dhe Avdyli, të ardhur respektivisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, vijnë nga kampionate me karakteristika të ngjashme me Superioren dhe pritet të përshtaten shpejt me filozofinë e lojës së Vllaznisë. Ndërkohë, Brajkoviçi është një nga përjashtimet e pakta. Mbrojtësi kroat nuk ka luajtur më parë në kampionatin shqiptar, por vjen nga futbolli kroat, një shkollë futbolli e rajonit ballkanik, çka pritet ta lehtësojë integrimin e tij në skuadër.
Në fakt, i vetmi afrim që përballet me një sfidë krejtësisht të re është Perez. Sulmuesi venezuelan nuk ka luajtur më parë as në Superioren dhe as në ndonjë kampionat të rajonit ballkanik, ndaj periudha e përshtatjes për të mund të jetë më e gjatë se për pjesën tjetër të afrimeve. Megjithatë, në tërësi, merkatoja e Vllaznisë dëshmon se drejtuesit kanë zgjedhur të minimizojnë rrezikun, duke ndërtuar skuadrën mbi futbollistë që e njohin realitetin e futbollit shqiptar ose të paktën atë të rajonit. Tani mbetet për t’u parë nëse kjo strategji do të japë rezultatet e pritura dhe do ta rikthejë Vllazninë mes pretendenteve kryesore për trofetë në sezonin e ri.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


