Shkruar nga Gjergj KOLA
Shumëkush e ka njohur vetëm përmes fushës së mjekësisë, që është edhe profesioni i tij. Por prej vitit 2005, të gjithë tashmë e njohin edhe përmes futbollit. E kemi fjalën për Ferdinand Jakun, njeriun që krijoi ekipin e parë të futbollit të femrave në vendin tonë, “Juban Danja”, në shtator të vitit tashmë të largët 2005.
Atëherë Fredi sapo kishte mbushur 37 vjeç, por kishte shumë ëndrra përpara. Dhe, për ta përjetësuar këtë moment të veçantë, ai u kujdes të realizonte fotografi dhe pamje filmike. Kuptohet, kishte menduar edhe për historinë, ndaj ato materiale sot kanë një vlerë të jashtëzakonshme.
Ferdinand Jaku sot ka ditëlindjen. Mbush 58 vjeç dhe, me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Ai ka lindur në Juban të Shkodrës më 1 gusht 1968. Ferdinand Jaku është i lidhur ngushtë me sportin në tërësi dhe jo vetëm me futbollin. E gjen gjithmonë pranë aktiviteteve sportive, duke mbështetur xhudistët e Vllaznisë në veprimtari të ndryshme, po ashtu edhe çiklistët. Ka një pasion të madh për futbollin dhe është një tifoz i zjarrtë i Vllaznisë, skuadër të cilën nuk lë ndeshje pa e ndjekur nga tribunat e stadiumit “Loro Boriçi”.
Po ashtu, ai ka qenë gjithmonë pranë gazetarëve sportivë të Shkodrës, duke marrë pjesë në aktivitetet e tyre dhe duke i mbështetur vazhdimisht.
Shkodra i detyrohet jo pak Ferdinand Jakut. Megjithatë, pasioni i tij për sportin mposht gjithçka: edhe harresën, edhe nënvlerësimin që ndonjëherë mund ta ketë shoqëruar. Ky njeri nuk mund të qëndrojë larg sportit kurrsesi dhe premton se do të vazhdojë të jetë pranë tij edhe në të ardhmen.
Por sot nuk është dita për të diskutuar për këto gjëra. Sot është dita që Ferdinand Jaku të gëzojë dhe të festojë së bashku me familjen dhe miqtë e tij. Dhe e meriton plotësisht.
Gëzuar ditëlindjen, PRESIDENT!


