Besëlidhja po vijon me fazën përgatitore dhe përpos seancave stërvitore me ngarkesa fizike, ato po shoqërohen edhe me zhvillimin e ndeshjeve miqësore. Një të tillë kanë bërë dje lezhjanët teksa janë ndeshur në “Niko Dovana” me ekipin e Teutës.
Ndeshja përgjithësisht është dominuar nga durrsakët të cilët në fund kanë fituar me rezultatin e ngushtë 1-0 me golin e shënuar nga Kallaku, por duhet thënë se ata kanë patur edhe disa raste të tjera shënimi që nuk janë konkretizuar dot.
Dhe një nga arsyet pse ka ndodhur kështu është edhe forma shumë e mirë sportive që ka treguar portieri i Besëlidhja Marco Molla. Në videon e mëposhtme keni vetëm 2 prej pritjeve të tij, por që në fakt kanë qenë të shumta në këtë ndeshje miqësore.
Portieri shkodran duket se po rikthehet në formën e tij më të mirë dhe padyshim që pritet të shndërrohet edhe në një protagonist të rëndësishëm për skuadrën lezhjane në objektivin e saj për t’u ngjitur në Superligë.
Ish- portieri i Bolonjës në Shqipëri ka ardhur në Shqipëri falë ndërmjetësimit të menaxherëve të tij Benardin Kulla e Fatmir Marku dhe me shumë mundësi shumë shpejt do ta shohim sërish duke luajtur në nivele të larta sepse e ka talentin dhe gjithçka tjetër për ta bërë këtë gjë. Ju kujtojmë që vite më parë duke qenë portier titullar me Italia U17 u pat shpallur nënkampion Europe dhe më pas vendosi të përfaqësonte Shqipërinë, por karriera e tij kaloi përmes disa ecejakeve që kanë ndikuar jo pak tek ai.
Por edhe me mbështetjen e menaxherëve dhe qëndrimin pranë të familjes, Marco Molla shumë shpejt do ta thotë ashtu si duhet fjalën e tij dhe Besëlidhja duhet të jetë e lumtur që e ka pjesë të saj një portier të tillë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


