Barcelona po ndërton një repart ofensiv që premton të jetë një nga më të rrezikshmit në futbollin evropian. Me afrimin e Karim Adeyemi-t dhe praninë e Lamine Yamal-it e Raphinha-s, katalanasit besojnë se kanë krijuar një treshe të kompletuar, e cila mund t’i çojë drejt objektivit madhor: fitimit të Champions League për herë të gjashtë në histori.
Drejtori sportiv Deco ka forcuar sulmin me Karim Adeyemi-n dhe Anthony Gordon, ndërsa Hansi Flick vazhdon të mbështetet te lojtarë si Yamal, Raphinha dhe Ferran Torres. Megjithatë, pikërisht kombinimi Adeyemi-Yamal-Raphinha shihet si arma kryesore e Barcelonës për sezonin e ri.
Adeyemi, shpejtësia që ndryshon ndeshjet
Karim Adeyemi bëri debutimin e tij me Barcelonën në miqësoren ndaj Birmingham City-t. Edhe pse paraqitja e parë nuk ishte spektakolare, trajneri Hansi Flick e konsideron gjermanin një përforcim shumë të rëndësishëm.
Sulmuesi 24-vjeçar njihet për shpejtësinë e tij të jashtëzakonshme. Sezonin e kaluar ai u regjistrua me një shpejtësi maksimale prej 36.7 km/h, duke qenë një nga futbollistët më të shpejtë në Evropë. Përveç kësaj, ai mund të luajë në të dy krahët e sulmit, si edhe në rolin e “9”-shit të rremë, falë inteligjencës taktike dhe aftësisë për t’u përshtatur gjatë ndeshjes.
Një tjetër avantazh është përvoja në Champions League me Borussia Dortmundin, ku ka zhvilluar 48 ndeshje dhe ka shënuar 14 gola.
Lamine Yamal, talenti që bën diferencën
Lamine Yamal tashmë konsiderohet lideri teknik i Barcelonës. Kampioni i botës me Spanjën vazhdon të impresionojë me driblimet, pasimet vendimtare dhe golat spektakolarë.
19-vjeçari është pika kryesore e sulmeve të Barcelonës nga krahu i djathtë. Me vizionin e tij të lojës dhe këmbën e majtë, ai krijon vazhdimisht epërsi numerike dhe raste për shokët e skuadrës.
Sezonin e kaluar Yamal regjistroi 24 gola dhe 17 asistime në 43 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ndërsa synimi i tij është të ketë statistika edhe më të mira në sezonin 2026/27.
Raphinha, njeriu i golave
Nëse Yamal është organizatori i aksioneve, Raphinha është finalizuesi. Braziliani është shndërruar në një nga armët më të forta të Barcelonës falë instinktit të tij para portës.
Edhe pse sezonin e kaluar u përball me disa dëmtime, ai arriti të shënojë 17 gola dhe të japë 6 asistime në 31 ndeshje.
Përveç kontributit në sulm, 29-vjeçari është një nga liderët e skuadrës, duke udhëhequr presingun e lartë dhe duke dhënë maksimumin në ndeshjet e mëdha.
Tre sulmues që plotësojnë njëri-tjetrin
Barcelona beson se kombinimi i shpejtësisë së Adeyemi-t, kreativitetit të Lamine Yamal-it dhe instinktit realizues të Raphinha-s mund ta bëjë sulmin e saj ndër më të frikshmit në Evropë. Edhe pse klubi investoi shumë për Anthony Gordon, gjithçka lë të kuptohet se Adeyemi, Yamal dhe Raphinha do të jenë zgjedhja e parë e Hansi Flick në repartin ofensiv, me objektivin e qartë për ta rikthyer trofeun e Champions League në “Camp Nou”.



