Friday, August 7, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PAREVIDEO/ Elvis Plori: Jemi ndërtuar për të synuar Superioren

VIDEO/ Elvis Plori: Jemi ndërtuar për të synuar Superioren

Besëlidhja po jep sinjale pozitive në prag të sezonit të ri, teksa lezhjanët vijojnë përgatitjet me objektiva të qarta. Edhe pse janë një skuadër debutuese në Kategorinë e Parë, ambiciet janë të mëdha, me synimin final ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Pikërisht për këtë arsye, stafi teknik ka zgjedhur të zhvillojë ndeshje miqësore ndaj kundërshtarëve cilësorë.

Testi i fundit ishte ndaj Vorës, skuadër e Superiores, në një përballje të luajtur në Lezhë, e cila përfundoi në barazim 1-1. Ndeshja ishte e luftuar që në minutat e para, me të dyja ekipet që kërkuan të kontrollonin lojën dhe të krijonin raste për shënim. Besëlidhja kaloi në avantazh në minutën e 38-të, falë golit të Akansases, duke mbyllur pjesën e parë në epërsi.

Në fraksionin e dytë reagoi Vora, që shtoi ritmin e lojës dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 53-të. Gjyla u tregua i saktë përpara portës dhe vendosi rezultatin përfundimtar 1-1. Pas përfundimit të takimit, trajneri i Besëlidhjes, Elvis Plori, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se këto teste janë të vlefshme për të matur nivelin e ekipit dhe për të evidentuar aspektet që duhen përmirësuar. “Ishte një miqësore shumë e mirë, sepse të jep mundësinë të testosh skuadrën në kushte reale.

Besëlidhja është ndërtuar për të qenë pretendente në Kategorinë e Parë dhe objektivi ynë është ngjitja në Superiore. Natyrisht, kemi ende punë për të bërë. Duam të konsolidojmë skuadrën, të përmirësojmë mangësitë dhe të krijojmë një ekip sa më konkurrues. Vora ishte një kundërshtar shumë cilësor, pasi synon të mbetet në Superiore, ndaj ky ishte një test me vlera të mëdha për ne. Jam i kënaqur me mënyrën se si u paraqitën djemtë në fushë. Kemi ende kohë për ta përgatitur skuadrën sa më mirë dhe synojmë të justifikojmë besimin që na është dhënë, duke qenë protagonistë gjatë gjithë sezonit”, deklaroi trajneri i Besëlidhjes, Elvis Plori, pas miqësores së fundit me Vorën.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments