Shkruar nga Gjergj KOLA
Atleti shkodran Gëzim Dimnaku vazhdon të tregojë një formë të shkëlqyer fizike ndonëse vitet kalojnë, por sukseset e tij në pistat kanadeze nuk mungojnë asnjëherë.
Si rrjedhojë, ai ka spikatur edhe në garat e kampionatit Master +35 të zhvilluara në Kanada ku ai ka arritur të sigurojë tre medalje ari në garat e kërcimit së larti, trehapësh dhe gjyle dhe kësisoj ka arritur të ngjitet në podium duke treguar se forma e tij sportive është e jashtëzakonshme dhe si rrjedhojë dominimi i tij vazhdon.
Kujtojmë që Dimnaku konkurron rregullisht në garat e veteranëve në Kanada që prej vitit 2013 dhe gjatë këtyre viteve ai ka arritur të shpallet plot 12 herë kampion i Kanadasë.
Këto shifra janë treguesi i qartë i stërvitjes sistematike të tij dhe përkushtimit maksimal si pakkush tjetër. Vetë Gëzimi në një prononcim të shkurtër të dhënë për Gazeta “Shkodra Sport” shprehet se sukseset e çdo viti e motivojnë për të ecur përpara dhe për të arritur suksese të reja. Dhe me siguri që ai do ia dalë sërish…


