Tuesday, August 11, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENjë Bizi rikthehet te Vllaznia, Sabioni kërkon të ndjekë gjurmët e familjes

Një Bizi rikthehet te Vllaznia, Sabioni kërkon të ndjekë gjurmët e familjes

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia duket se po i jep gjithnjë e më shumë hapësirë talenteve të dalë nga futbolli shkodran. Një prej tyre është Sabion Bizi, mesfushori 18-vjeçar me tipare sulmuese, i cili tashmë është afruar me ekipin e parë dhe po merr pjesë në përgatitjet e skuadrës kuqeblu. Një tjetër emër i ri që trajneri Edi Martini po e sheh me interes, me Bizin që synon të shfrytëzojë mundësinë për të bërë hapin e rëndësishëm drejt futbollit profesionist.

Për Bizin, kjo nuk është një histori që nis vetëm tani. Pak kohë më parë, 18-vjeçari kishte firmosur kontratë profesioniste me Hamrun për sezonin 2026-27 dhe pritej të ishte pjesë e skuadrës malteze. Megjithatë, problematikat e lidhura me lejen e qëndrimit komplikuan situatën dhe penguan zyrtarizimin e tij përfundimtar në ishull. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit maltez kishin menduar edhe një tjetër zgjidhje, atë të huazimit të futbollistit në Itali, te Budoni, skuadër e Serie D në Sardenjë.

Por në këtë moment ka ndërhyrë Vllaznia. Këmbëngulja e trajnerit Edi Martini ka bërë që Bizi të rikthehet në Shkodër dhe të bashkohet me ekipin e parë kuqeblu. Tekniku shkodran duket se beson te potenciali i 18-vjeçarit dhe ka preferuar ta ketë nën vëzhgimin e tij, duke i dhënë mundësinë të stërvitet me skuadrën dhe të provojë veten në nivele më të larta. Një zgjedhje që mund të rezultojë e rëndësishme për të ardhmen e talentit.

Në këtë rikthim luan rol edhe rregulli i FSHF-së për aktivizimin e futbollistëve të rinj, që i detyron klubet të krijojnë hapësira për elementët e moshave. Bizi është një prej atyre futbollistëve që mund t’i shërbejë Vllaznisë në këtë drejtim, por mbi të gjitha shihet si një investim për të ardhmen. Në dy miqësoret e fundit, ndaj Burrelit dhe Tërbunit, ai ka marrë minuta dhe ka dhënë sinjale pozitive, duke treguar se mund të jetë një alternativë interesante për repartin ofensiv të kuqebluve.

Mbi të gjitha, Sabion Bizi mbart edhe një mbiemër që ka shkruar historinë e futbollit shkodran. Babai i tij, Brikeno Bizi, ka qenë pjesë e Vllaznisë dhe është shpallur kampion me kuqeblutë, ndërsa gjyshi i ndjerë, Sabah Bizi, është një prej emrave më të mëdhenj të historisë së futbollit shqiptar dhe nga shumëkush konsiderohet si futbollisti më i madh që ka nxjerrë Shqipëria. Tashmë është radha e Sabionit të ndërtojë historinë e tij. Hapat e parë janë hedhur dhe rikthimi në Shkodër mund të jetë pikërisht mundësia që i duhej për të treguar se çfarë mund të bëjë.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments