Shkruar nga Endri ÇINARI
Miqësorja ndaj Vorës nuk shërbeu vetëm për të marrë një ide të fundit mbi formën e skuadrës, por edhe për të provuar disa zgjidhje taktike në prag të startit të kampionatit. Një prej tyre ishte Emiljano Musta, i cili u aktivizua në treshen e mbrojtjes, duke marrë një rol jo fort të zakonshëm për të në karrierën e tij.
Futbollisti 35-vjeçar njihet kryesisht si një lojtar i krahut të majtë, por përballë Vorës Martini e vendosi në qendër të prapavijës, së bashku me Çelikoviç dhe Dumfur. Një eksperiment që nuk duket aspak i rastësishëm, sidomos duke parë situatën që Vllaznia do të ketë në javët e para të kampionatit.
Shkak është mungesa e Erdenis Gurishtës, i cili do të jetë i pezulluar në startin e sezonit. Kapiteni i dytë i kuqebluve mbetet një prej alternativave kryesore në prapavijë, por dënimi i tij e detyron trajnerin Edi Martini të mendojë që tani për një zgjidhje tjetër. Në këtë pikë, eksperienca e Mustës mund të jetë një aset i rëndësishëm për skuadrën shkodrane.
Musta, me një karrierë të gjatë dhe eksperiencë të konsiderueshme në futbollin shqiptar, mund t’i ofrojë Martinit jo vetëm forcë fizike, por edhe qetësi në momente kur skuadra ka nevojë të menaxhojë presionin. Edhe pse pozicioni i tij natyral është në krah, aftësia për të luajtur më në qendër i jep stafit teknik një tjetër mundësi për të mbuluar boshllëkun e krijuar nga mungesa e Gurishtës.
Nëse kjo zgjidhje do të konfirmohet edhe në ndeshjet zyrtare, mbetet për t’u parë, por prova ndaj Vorës ishte një sinjal i qartë. Martini po kërkon që Vllaznia të mos e ndiejë sa më shumë mungesën e Gurishtës dhe duket se, të paktën në javët e para të edicionit, besimi mund të shkojë pikërisht te eksperienca e Mustës për të blinduar qendrën e mbrojtjes.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


