Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Besëlidhja ka regjistruar një tjetër rezultat pozitiv në fazën përgatitore, duke mposhtur Devollin me rezultatin 1-3 në miqësoren e radhës.
Skuadra lezhjane e zhbllokoi takimin në fundin e pjesës së parë, kur Akansase shënoi në minutën e 45-të, duke i dhënë Besëlidhjes avantazhin 0-1.
Në pjesën e dytë, ekipi i drejtuar nga Elvis Plori u shfaq më konkret në fazën sulmuese dhe arriti të thellojë avantazhin.
Protagonisti kryesor ishte Delaj, i cili realizoi dy gola në harkun e pak minutave. Sulmuesi shënoi në minutat 65’ dhe 70’, duke e çuar rezultatin në 0-3 dhe duke i dhënë një tjetër pamje sfidës.
Devolli reagoi në minutat e fundit dhe arriti të shënojë golin e ngushtimit të diferencës, por Besëlidhja administroi avantazhin dhe e mbylli miqësoren me fitoren 1-3.
Për lezhjanët, kjo ishte një tjetër provë e vlefshme në prag të startit të sezonit të ri të Kategorisë së Parë. Stafi teknik pati mundësinë të testojë futbollistët, afrimet e reja dhe gjendjen e përgjithshme të grupit.
Tre golat e shënuar, veçanërisht shpërthimi ofensiv në pjesën e dytë, përbëjnë një sinjal pozitiv për Besëlidhjen, e cila vijon përgatitjet për kampionatin.
Lezhjanët do të kenë ende kohë për të korrigjuar detajet e fundit dhe për të gjetur formën optimale përpara startit zyrtar të sezonit.


