Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia po përgatitet për transfertën ndaj Elbasanit, në kuadër të javës së dytë të kampionatit 2026-2027, me trajnerin Edi Martini që duket se po mendon për disa ndryshime në formacion, në krahasim me sfidën hapëse ndaj Skënderbeut. Pas barazimit 2-2 në Shkodër, kuqeblutë kërkojnë një reagim dhe një rezultat pozitiv në këtë përballje.
Në portë pritet të jetë sërish Avram, ndërsa ndryshimet më të rëndësishme mund të vijnë në repartin e mbrojtjes. Përkrah Dumfour dhe Çelikoviç, këtë herë pritet të aktivizohet Musta, duke i dhënë më shumë eksperiencë dhe siguri prapavijës shkodrane. Në krahë, momentalisht më të avantazhuar duken Uldedaj në të djathtë dhe Avduli në të majtë, edhe pse nuk përjashtohen ndryshime të minutës së fundit, me Mustën që mund të zhvendoset në krahun e majtë.
Në mesfushë, treshja Qato-Dros-Mehmeti pritet të marrë përgjegjësinë për organizimin e lojës. Mehmedi shihet si zëvendësuesi i Kobiljarit, ndërsa forma e tij fizike dhe ritmi i lojës do të jenë të rëndësishme për mënyrën se si do të funksionojë mesfusha. Martini kërkon më shumë ekuilibër dhe kontroll në këtë repart, sidomos pas problemeve të shfaqura në ndeshjen e parë.
Në repartin ofensiv, Balaj pritet të mbetet pika kryesore e sulmit, ndërsa përkrah tij pritet të lëvizë Murataj. Dyshja do të ketë detyrën për të krijuar rrezik në portën e Elbasanit dhe për të shfrytëzuar hapësirat që mund të krijohen në prapavijën kundërshtare. Për Vllazninë, efikasiteti në fazën ofensive do të jetë një nga çelësat për të synuar tri pikët.
Në këtë mënyrë, Martini duket se po projekton një Vllazni me disa ndryshime, por me boshtin kryesor të skuadrës që mbetet i pandryshuar. Sfida me Elbasanin pritet të jetë një tjetër test për kuqeblutë, të cilët kërkojnë të lënë pas zhgënjimin e barazimit me Skënderbeun dhe të marrin pikët e para të plota në kampionat.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


