FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPresidenti Xhaferi në 'Supergol': Po diskutohet për arbitrat, po klubet dhe investimet...

Presidenti Xhaferi në ‘Supergol’: Po diskutohet për arbitrat, po klubet dhe investimet e tyre kush i mbron?

Vllaznia është ndëshkuar nga arbitrimi në ndeshjen e djeshme ndaj Elbasanit dhe si rrjedhojë në kampin shkodran ende nuk u ka dalë zemërimi nga vendimet e dyshes Maletaj- Barjamaj. Presidenti Alban Xhaferi ka qenë mjaft aktiv ne reagimet e tij dhe mbrëmjen e sotme ka bërë edhe një dalje publike në emisionin “Supergol” ku është shprehur:

“Ne i kemi bërë deklaratat tona tashmë për gjithë çështjen dhe kuptohet që ne si Vllazni dënojmë çdo akt- dhune dhe këtë e kemi treguar me vite. Unë dua të shkoj tek problematika që çon në gjëra të tilla.

Nga njëra anë flasim si t’i dalim për Zot arbitrave, si t’i dalim për Zot sistemit por unë mendoj se një çështje shumë e rëndësishme është se si t’i dalim për Zot klubeve dhe problematikave të tyre.

Klubet financojnë me miliona dhe nuk duhet ta pësojnë nga gjëra të tilla. Unë po ndalem tek Vllaznia. Ne kemi disa raste, që nga sezoni i kaluar kur jemi ndëshkuar rëndë dhe në të gjitha studiot televizive e po ashtu edhe në Federatë e kanë pranuar se kanë qenë gabime të arbitrave. Pikërisht prej këtyre gabimeve, ne sezonin e kaluar na u mohua titulli kampion.

E fillojmë sezonin e ri dhe menjëherë na mohohen dy gola, nuk jepet një karton i kuq kundër nesh dhe këto nuk janë më gabime, por faje të rënda apo veprime keqdashëse. Çështja që duhet të diskutojmë ne të gjithë njerëzit e futbollit është si duhet ta mbrojmë investimin tonë?

Jo vetëm kaq, por menjëherë pas ndeshjes së djeshme del Klajdi Kola dhe bën një gjyq publik ndaj meje. Po ashtu edhe Federata në 12.00 të natës bën një deklaratë dhe përmend emrin tim. Ajo që ndodhi, i përket një Komisioni që do të dalë me një vendim në ditët e ardhshme. Por kurrsesi nuk duhet bërë një gjyq publik, e për më tepër në një Televizion Publik siç dihet deklarata e Klajdi Kolës.

Nuk mundet askush që me një rast të akuzojnë Vllazninë apo mua se ishim ne e keqja e gjithë kësaj gjëje. Po me problematikat e arbitrimit që kanë ndodhur deri tani, kush do merret? Ne kuptohet që presim vendimet e Disiplinës për sjelljen tonë, por e përsëris, më e rëndësishme është të parandalojmë shkaqet që po çojnë në gjëra të tilla.

Duhet ta pranojmë se dje në Elbasan kemi hasur një organizim ndeshje jashtë çdo standarti. Në tribunë ka patur më shumë të pranishëm sesa e parashikon rregullorja, kemi dëgjuar sharje dhe ofendime ndaj çdo lojtari nga fillimi e deri në fund të ndeshjes. Unë e dua qytetin e Elbasanit dhe kam shumë respekt për njerëzit e tij, kam shumë respekt për presidentin e kësaj skuadre, por ne si drejtues nuk duhet të lejojmë që në tribunat VIP të ketë persona që nxisin konflikte. Dhe po e them madje publikisht, asgja nuk ka ndodhur ende se çfarë mund të ndodhin në vazhdim në disa tribuna stadiumesh”.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments