Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia e ka nisur kampionatin me dy barazime, por me dy paraqitje krejtësisht të ndryshme. Pas 2-2 në shtëpi ndaj Skënderbeut në javën e parë, kuqeblutë u ndalën sërish në një rezultat të barabartë në transfertë, këtë herë përballë Elbasanit. Një pikë që, në pamje të parë, mund të konsiderohet pozitive, duke marrë parasysh vështirësinë e transfertës, por që në kampin shkodran mbetet edhe një ndjesi se skuadra mund të kishte marrë më shumë.
Ndeshja u shoqërua edhe me polemika të shumta, sidomos pas dy golave të anuluar për Vllazninë. Vendimet e gjyqtarit sollën protesta nga kampi kuqeblu, me pretendimin se arbitrimi nuk ishte i njëanshëm dhe se disa episode ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar. Megjithatë, përtej këtyre episodeve, ajo që merr më shumë rëndësi për Vllazninë është paraqitja e treguar në fushën e lojës.
Në transfertën ndaj Elbasanit, kuqeblutë shfaqën një fytyrë shumë më të mirë në aspektin e lojës. Skuadra krijoi më shumë raste, pati një ritëm më të lartë dhe ishte dukshëm më kërkuese në raport me atë që kishte treguar një javë më parë ndaj Skënderbeut. Pikërisht ky është një nga elementët më pozitivë që del nga dy javët e para të kampionatit.
Në fakt, një rritje të tillë e kishte paralajmëruar edhe trajneri Edi Martini gjatë ditëve të përgatitjes. Stafi teknik kishte evidentuar se skuadrës i duhej kohë për të kapur ritmin e duhur, sidomos duke pasur parasysh afrimet e shumta të kësaj vere dhe nevojën për të krijuar një grup më të konsoliduar. Ndeshja e Elbasanit duket se ka dhënë sinjale se ky proces po ecën në drejtimin e duhur.
Dy barazime në dy javët e para, pra, nuk kanë të njëjtën fytyrë. Nëse ndaj Skënderbeut Vllaznia la pas një paraqitje me shumë pikëpyetje, ndaj Elbasanit tregoi përmirësim të dukshëm dhe një lojë që i jep më shumë arsye për optimizëm. Edhe pse shkodranët mund të ndihen të penalizuar nga disa episode të ndeshjes, mënyra se si u paraqitën është një sinjal pozitiv.
Tashmë objektivi është që ky progres të shndërrohet në pikë të plota. Vllaznia ka nevojë ta vazhdojë rritjen nga java në javë, të konsolidojë lojën dhe të kthejë rastet e krijuara në gola e fitore. Në kampin kuqeblu, pas paraqitjes në Elbasan, optimizmi është rritur dhe pritshmëritë janë që në javët e ardhshme skuadra të bëjë hapin e radhës: nga loja e mirë, te fitoret.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


