Duhej të ishte një start ndryshe ai i Besëlidhje në këtë rikthim të saj në kampionatin e kategorisë së parë, një rikthim si skuadër pretendente, por në fakt djemtë e drejtuar nga trajneri Elvis Plori kanë zhgënjyer në këtë debutim dhe janë mundur me rezultatin 2-0 nga Kukësi.
Sfida në mes këtyre dy skuadrave është luajtur pasditen e djeshme në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit dhe gjithçka është vendosur që në 45 minutat e para kur vendasit arritën të shënojnë të dy golat e ndeshjes, fillimisht me anë të Demirçanit në ‘3 dhe më pas me shkodranin Paulo Pjeshka në ’18.
Besëlidhja u mundua të reagonte pas kësaj nisje zhgënjyese dhe pati rastet e veta për shënim por që nuk u konkretizuan dot dhe si rrjedhojv i gjithë takimi u mbyll me fitoren 2-0 të Kukësit. Një humbje që ka zhgënjyer pa masë edhe tifozët lezhjane që kishin udhëtuar deri në Kukës për të mbështetur skuadrën e tyre, por pa arritur dot t’i gëzohen qoftë edhe një pike të vetme.
Lezhjanët e nisën ndeshjen me këtë formacion: Në portë shkodrani Marco Molla, për të vijuar me Janku, Topallaj, Trashi, Bilali, Alidema, Smaçi, Osmanllari, Hila, Misja dhe Akansase. Në pjesën e dytë ndërkohë janë aktivizuar edhe tre shkodranët Antonio Marku, Antonio Delaj dhe Flavio Fusha dhe po ashtu edhe Jesus dhe Gurbanov, por pa arritur dot të kthejnë rezultatin.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


