Vendi i zëvendëstrajnerit nuk ka mbetur për shumë kohë bosh tek Basania pas largimit të Rigers Xhahysës për tek Besëlidhja. Drejtuesit e klubit në bashkëpunim edhe me trajnerin Arbër Shytani e kanë konsideruar si kandidaturën më të mirë të mundshme atë të Mario Kolës.
Ky i fundit është edhe futbollist i kësaj skuadre dhe përvojën e tij si lojtar tashmë do ta përdor edhe në rolin e zëvendëstrajnerit. Vetë Kola e ka mirëpritur një angazhim të tillë, ndonëse do të ketë më shumë angazhime.
Ai është lojtari më me përvojë tek Basania teksa është pjesë e saj që nga themelimi dhe ka dhënë kontributin e tij për shpalljen kampion në kategorinë e tretë dhe ngjitjen në të dytën. Ndërkohë prej pak vitesh, Kola i ka hyrë edhe trajnimit teksa është paisur me licensën përkatëse dhe drejton ekipet e moshave të Basanias.
Tashmë për të shtohet edhe një detyrë e re, të cilën me siguri do ta bëjë ashtu si duhet dhe bashkë me pjesën tjetër të stafit do të mundohen të bëjnë më të mirën për këtë ekip i cili në sezonin e ri pritet të shfaqet me një fytyrë krejt tjetër.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


