Start i shkëlqyer i kampionatit për ekipin Vllaznia “B”. Ndonëse përballë kishte një ekip që është ndërtuar për të qenë pretendent si ai i Tërbunit, sërish shkodranët ia kanë dalë të triumfojnë dhe ta nisin me fitore kampionatin e kategorisë së dytë të këtij sezoni.
Ndeshja në mes këtyre dy ekipeve është luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe ka qenë shumë e luftuar nga të dy ekipet. Fati i saj do të vendosej nga një gol i shënuar nga futbollisti Touray në minutën e 36-të me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone.
Pukjanët e drejtuar nga trajneri Çutra nuk u pajtuan me këtë disavantazh dhe janë hedhur në sulm duke krijuar disa raste shënimi, por kanë ndeshur në një mbrojtje hermetike të kuqebluve me në krye Flori Spahinë dhe si rrjedhojë nuk ia kanë dalë të barazojnë.
Përfundimisht 1-0 për Vllaznia “B” e cila e nis kampionatin me fitore. Një sukses mëse i merituar i skuadrës së drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi e cila tregon edhe njëherë tjetër se do të jetë një kockë e fortë për çdo ekip në këtë kampionat. Dhe të mos harrojmë, sot nga ekipi i parë ka qenë vetëm Kubazi, çka tregon se ekipi i dytë i kuqebluve e ka kontigjentin e tij dhe me të do të kërkojë ta thotë fjalën e tij në kampionat.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


