Shkruar nga Gjergj KOLA
Sulmuesi shkodran Gabriel Kulla e ka nisur “avazin” e tij, atë të shënimit të golave të portat kundërshtare dhe sot ka shënuar dy golat e parë të këtij sezoni. Në ndeshjen ndaj Bolonjës të fituar nga Sassuolo U20 me rezultatin 5-3, 18 vjeçari shqiptar ka shënuar dy herë që në pjesën e parë.
Në këtë mënyrë ka kontribuar në suksesin e këtij ekipi dhe padyshim që ky është vetëm fillimi sepse Kulla do të shënojë edhe shumë të tjerë në javët e ardhshme. Kujtojmë që në ndeshjet e para të sezonit, Kulla u grumbullua edhe në ekipin e parë të Sassuolos dhe madje dhe debutoi në Seria A.
Kjo ndodhi mbrëmjen e 23 gushtit kur luajti disa minuta në ndeshjen ndaj Atalantës. Kuptohet që e ardhmja e sulmuesit duket se do të jetë e ndritur, megjithatë drejtuesit e klubit po mundohen t’i hedhin hapat një e nga një me të dhe të mos nguten, prandaj dhe e kanë dërguar sërish tek ekipi Primavera ku do të rritet edhe më shumë nga ana profesionale dhe do të jetë edhe më i gatshëm pastaj për ekipin e parë.
Sezonin e kaluar ai e mbylli me 16 gola të shënuar dhe 8 asiste dhe objektivi padyshim që është kalimi i këtyre shifrave në sezonin e ri. Dy golat e parë tashmë erdhën, presim të tjerët…
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


