Basania e Arbër Shytanit e nis me fitore kampionatin e ri. Në ndeshjen e sotme ndaj ekipit “Eagle Football” ka fituar me rezultatin 2-1 dhe ka qenè goli i mesfushorit Arsid Gerbeti pesë minuta para fundit që i ka dhënë suksesin.
Takimi i luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” ka nisur me gol për ekipin vendas. Ka qenë sulmuesi Rigerto Çezma që e ka dërguar topin në rrjetën e portës kundërshtare që në minutën e 6-të dhe deri në fundin e pjesës së parë nuk do të kishte gol tjetër.
Basania kësisoj shkoi në dhomat e zhveshjes me avantazhin e ngushtë, me shpresën se në të dytën do të shënonte dhe ndonjë gol tjetër për të vulosur fitoren. Por në fakt janë miqtë nga kryeqyteti që kanë barazuar rezultatin në minutën e 53-të me anë të futbollistit Bashari.
Pas këtij goli, loja u ballancua dhe pavarësisht përpjekjeve, goli i fitores vonoi të dalë në dritë. Ka qenë minuta e 85-të kur pas një goditje këndi, topi shkon në zonën e “Eagle” dhe aty Arsid Gerbeti me një gjuajtje në formë parabole e dërgon topin mbi portierin kundërshtar dhe ai përfundon në rrjetë.
Përfundimisht 2-1 për Basanian që e nis mbarë kampionatin e ri dhe ky trepikësh padyshim që do ta ndihmojë për ndeshjet e ardhshme në të cilat pritet që ekipi të funksionojë edhe më mirë sepse ka në rradhët e tij lojtarë cilësorë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


