Shkruar nga Gjergj KOLA
Ardhja e trajnerit Paolo Vanoli në krye të Fiorentinës prej një jave ka ndryshuar shumë gjëra tek kjo skuadër. Menjëherë pas uljes së tij në pankinën e skuadrës nga Firenze erdhi edhe fitorja e saj e parë në kampionat, pikërisht ndaj Venezias në shifrat 4-2 për kampionat dhe po ashtu është duke fituar edhe në këto momente në ndeshjen e Kupës ndaj Pisa.
Por ne do të ndalemi tek një element tjetër i ndryshimeve që ka sjellë trajneri i ri. Dhe njëri prej këtyre ndryshimeve ka të bëjë me afrimin në stërvitje të sulmuesit 17 vjeçar të Akademisë së këtij klubi Majkol Luka.
Lojtari me origjinë nga Shkodra prej më tepër se një jave është në stërvitje me ekipin e parë të Fiorentinës dhe padyshim që ky është një lajm i mirë për të. Luka konsiderohet një element me shumë perspektivë dhe tek Fiorentina i kanë hedhur sytë drejt tij.
Kujtojmë që sulmuesi shtatëlartë është pjesë e ekipeve kombëtare të moshave të Shqipërisë dhe madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit tek ekipi U16. Nga ana tjetër tek Fiorentina do të kërkojë të punojë fort në stërvitje dhe të tregojë vlerat e tij më të mira dhe si rrjedhojë tashmë në stërvitje me ekipin e parë dëshiron të bindë edhe stafin e tij.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


