FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREUmejiego 'mund i vetëm' Vllazninë, shkodranët zhyten gjithnjë e më shumë në...

Umejiego ‘mund i vetëm’ Vllazninë, shkodranët zhyten gjithnjë e më shumë në krizë

Shkruar nga Fatos LAMAJ

Teuta nuk gabon as në Shkodër dhe vazhdon ecurinë e shkëlqyer në këtë fillim sezoni. Durrsakët kanë mundur 0-2 Vllazninë në “Loro Boriçi” duke mar fitoren e katërt radhazi në kampionat dhe duke u ngjitur në kuotën e 13 pikëve pas pesë javësh.

Skuadra e Edlir Tetovës konfirmoi edhe një herë formën e mirë duke treguar qetësi në menaxhimin e ndeshjes dhe efikasitet në momentet vendimtare.

Përballë Vllaznisë që kërkonte me çdo kusht kthesën pas rezultateve negative Teuta u tregua më konkrete dhe goditi në fundin e pjesës së parë dhe menjëherë pas rikthimit nga pushimi. Protagonisti absolut i sfidës ishte Antoni Umejiego i cili realizoi të dy golat e takimit.

Sulmuesi zhbllokoi rezultatin në minutën 45+2 pas një aksioni të ndërtuar nga krahu i majtë,duke i dhënë Teutës avantazhin në një moment shumë të rëndësishëm të ndeshjes.

Goditja e dytë erdhi vetëm pak minuta pas nisjes së pjesës së dytë dhe në minutën 51-të Antoni Umejiego gjeti sërish rrugën e rrjetës dhe kompletoi dopietën personale,duke e çuar rezultatin në 0-2 dhe duke e bërë shumë më të vështirë reagimin e vendasve.

Nga ai moment Teuta administroi me kujdes avantazhin,duke mos i dhënë Vllaznisë shumë hapësira për të rihapur sfidën. Durrsakët treguan pjekuri në lojë dhe arritën ta mbyllnin ndeshjen pa pësuar gol,duke shtuar një tjetër rezultat pozitiv në një start që po merr gjithnjë e më shumë formën e një sezoni me objektiva të mëdha.

Me këtë fitore Teuta arrin në 13 pikë dhe ruan kreun e renditjes duke bërë që t’i ndjekin të qetë ndeshjet e tjera të javës së pestë pasi askush nuk mund t’i zbres menjëherë nga vendi i parë.

Në kampin tjetër situata mbetet shumë e vështirë për Vllazninë pasi kuqeblutë pësojnë humbjen e tretë radhazi dhe mbeten me vetëm dy pikë pa arritur ende fitoren e parë të sezonit.

Edhe pse skuadra shkodrane tentoi të reagonte në disa momente mungesa e efikasitetit dhe problemet në fazën mbrojtëse u shfaqën sërish.Për Teutën mbrëmja në “Loro Boriçi” sjell një tjetër konfirmim të forcës së këtij grupi. Për Vllazninë ndërkohë alarmi bëhet gjithnjë e më serioz dhe javët në vazhdim pritet të jenë vendimtare për reagimin e skuadrës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments