FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORERikthimi i kampionatit, kalendar ‘zjarri’ për Vllazninë

Rikthimi i kampionatit, kalendar ‘zjarri’ për Vllazninë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia e ka mbyllur startin e kampionatit në një situatë që nuk ishte parashikuar, me vetëm 2 pikë të grumbulluara në pesë javët e para dhe vendin e fundit në tabelë. Kuqeblutë kanë shënuar vetëm pesë gola, ndërsa kanë pësuar 10, shifra që e bëjnë edhe më të vështirë panoramën për ekipin shkodran.

Por në horizont nuk shfaqet një kalendar që premton lehtësi. Pas pushimit të kampionatit për shkak të angazhimeve të kombëtares, Vllaznia do të rikthehet në fushë me një përballje të fortë në shtëpi, teksa në Shkodër do të zbresë Dinamo. Një kundërshtar që konsiderohet ndër pretendentët kryesorë të këtij edicioni dhe që do ta vërë menjëherë në provë skuadrën kuqeblu.

Vështirësia do të vijojë edhe në javën pasardhëse, kur shkodranët do të udhëtojnë për t’u përballur me Egnatian. Kampionët në fuqi të Shqipërisë, që kanë fituar titullin në tre edicionet e fundit, mbeten një tjetër kundërshtar i nivelit të lartë dhe një prej ekipeve që synojnë të vazhdojnë dominimin edhe këtë sezon.

Pas këtyre dy sfidave, Vllaznia do të ketë përballë edhe Tiranën, në javën e tetë të kampionatit. Klasikja e Shqipërisë këtë herë do të luhet në Shkodër dhe, si gjithmonë, mbetet një takim që i shpëton parashikimeve. Historia e gjatë mes dy skuadrave ka treguar se forma e momentit shpesh lihet mënjanë kur vjen një përballje e tillë.

Ndërkohë, këtë seri të vështirë shkodranët do ta mbyllin me një tjetër sfidë delikate, atë ndaj Vorës. Edhe pse kundërshtari vorak është një skuadër që lufton për mbijetesë , për Vllazninë nuk do të jetë aspak një ndeshje për t’u nënvlerësuar, sidomos duke parë situatën aktuale të renditjes.

Kështu, pas një starti me vetëm dy pikë, Vllaznia përballet me një periudhë ku çdo rezultat merr peshë të veçantë. Dinamo, Egnatia, Tirana dhe Vora janë katër sfida që do të kërkojnë maksimumin nga kuqeblutë, ndërsa pikërisht këto javë mund të tregojnë nëse skuadra do të arrijë të reagojë dhe të largohet nga fundi i tabelës.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments