FAQJA E PARE KRYESORENGA NAMIK MEHMETI/ PANTEONI I MJESHTRAVE TË FUTBOLLIT SHKODRAN SA VJEN E...

NGA NAMIK MEHMETI/ PANTEONI I MJESHTRAVE TË FUTBOLLIT SHKODRAN SA VJEN E RRALLOHET

Në harkun e jo më shumë se 10 ditëve, Shkodra dhe, në veçanti, komuniteti i futbollistëve të Vllaznisë u përballën me dy lajme të trishtuara.

Dy futbollistë që kanë shkruar historinë në rrugëtimin 107-vjeçar të Vllaznisë, Esat Bushati dhe Ismet Hoxha, u ndanë nga gjiri i familjeve të tyre, miqve dhe shokëve.

Dy emra që jo vetëm kanë dhënë djersën dhe aftësitë e tyre teknike në futbollin shqiptar me Vllazninë, duke fituar titullin kampion apo Kupën e Shqipërisë, por kanë kontribuar edhe me ekipin e Partizanit e më tej.

Si Esat Bushati, ashtu edhe Ismet Hoxha, luajtën përkrah emrave legjendë, si te Vllaznia, ashtu edhe te Partizani.

Esati, që u përcoll me nderime në ceremoninë mortore në moshën 97-vjeçare, duke trashëguar nga fisi i tij i njohur në gjithë Shqipërinë, fisi Bushati, u përsekutua duke mos iu dhënë mundësia të luante me Kombëtaren jashtë shtetit, edhe pse roli i tij si mbrojtës ishte në një nivel superior me ata që i zinin vendin.

Me pasaportën e “Qytetarit të Nderuar të Shkodrës”, ai i bënte vetes një prezantim modest kudo që ulej në kafe apo në biseda shoqërore.

Ismet Hoxha na tronditi me vdekjen e tij të papritur. Familjen, zonjën Sadije, tre djemtë e tij, por ishte e pabesueshme për momentin kjo vdekje edhe për miqtë e shokët e tij, si dhe për sportdashësit, jo vetëm në Shkodër, por edhe në Tiranë, Gjirokastër e më tej.

Tashmë, kolegët e mi në Shkodër, Gac Marku e Gjergji Kola, kanë prezantuar karrierën e suksesshme të Esatit dhe Ismetit në portalet “Veriu Sport” dhe “Shkodra Sport”, gjë që nuk po e përsëris.

Kam pasur shumë afërsi me këta dy “Mjeshtra të Merituar të Sportit”. Kam shkruar e komentuar ndeshjet që ata kanë zhvilluar dhe, kuptohet, me Ismetin dialogu ka qenë më i larmishëm, më bashkëkohor, pasi ai la gjurmë me vlera si trajner me të rinjtë e Vllaznisë, me ekipin Kombëtar Shpresa dhe si drejtues e organizator në klubin Vllaznia, ku më afroi mundësinë për të ndjekur Vllazninë në Kupat e Europës në Kroaci e Mal të Zi.

Po me të njëjtin respekt, shkodranët dhe të ardhurit nga rrethet e Shqipërisë u bënë homazhet e fundit dhe e përcollën në banesën e fundit, me dhimbje e respekt.

Panteoni i mjeshtrave të futbollit shkodran sa vjen e rrallohet, por emrat që janë skalitur në këtë Panteon mbeten për Shkodrën një krenari dhe frymëzim për brezin e ri të Vllaznisë legjendare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments