FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREI 'rilindur' në pozicionin e ri, Patrik Bardhi 'merr' krahun te Vllaznia

I ‘rilindur’ në pozicionin e ri, Patrik Bardhi ‘merr’ krahun te Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARI

Patrik Bardhi duket se ka gjetur veten te Vllaznia, duke përjetuar një rilindje të vërtetë pas ardhjes së trajnerit Csaba Laszlo në stolin e shkodranëve. Futbollisti 28-vjeçar, i cili vetëm pak javë më parë aktivizohej kryesisht nga stoli, tashmë është shndërruar në një nga lojtarët më të besuar të teknikut hungarez.

Ndryshimi në situatën e tij është i dukshëm, pasi Bardhi ka fituar një vend të rëndësishëm në formacionin kuqeblu. Për më tepër, kjo po ndodh në një rol të ri për të, atë të mbrojtësit të djathtë, një pozicion ku ish-futbollisti i Vorës po tregon se mund të japë një kontribut të rëndësishëm për skuadrën.

Pavarësisht se nuk është pozicioni ku është aktivizuar tradicionalisht gjatë karrierës së tij, Bardhi po përshtatet gjithnjë e më mirë me detyrat e reja. Ai ka treguar siguri në prapavijë, duke përmbushur detyrat mbrojtëse, ndërsa njëkohësisht ka dëshmuar se zotëron cilësi që mund ta ndihmojnë Vllazninë edhe në fazën sulmuese.

Paraqitjet e tij kanë bindur jo vetëm për angazhimin dhe korrektësinë taktike, por edhe për aftësinë për të ndihmuar ekipin në momentet kur kërkohet më shumë guxim në sulm. Bardhi po dëshmon se mund të jetë një alternativë e vlefshme në të dyja fazat e lojës, duke i dhënë trajnerit Laszlo më shumë siguri në krahun e djathtë.

Kontributi i tij u pa edhe në fitoren 2-0 ndaj Tiranës, në ndeshjen e javës së tetë të Superiores. Bardhi ishte protagonist në golin e parë të kuqebluve, duke dhuruar asistin për Edon Muratajn, i cili zhbllokoi rezultatin dhe i hapi rrugën suksesit të rëndësishëm të shkodranëve në klasiken e futbollit shqiptar.

Kështu, për Patrik Bardhin duket se ka nisur një kapitull i ri në Shkodër. Nga një futbollist që qëndronte shpesh në stol, ai është kthyer në një titullar të besuar të Vllaznisë, duke fituar gradualisht hapësirë dhe besimin e trajnerit. Një rilindje që vjen në momentin e duhur, si për vetë lojtarin, ashtu edhe për një skuadër që kërkon të konsolidojë formën pas një nisjeje të vështirë të sezonit.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments