FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVetëm një dilemë për formacionin, ja si pritet të luajë Vllaznia me...

Vetëm një dilemë për formacionin, ja si pritet të luajë Vllaznia me Vorën

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia përgatitet për transfertën ndaj Vorës, e vlefshme për javën e nëntë të kampionatit, me synimin për të vazhduar ecurinë pozitive pas fitores 2-0 në klasiken ndaj Tiranës. Në prag të këtij takimi, trajneri Caba Lazslo duket se ka një ide të qartë për formacionin që do të zbresë në fushë, pavarësisht kalendarit të ngjeshur të ndeshjeve.

Tekniku hungarez nuk pritet të bëjë ndonjë rotacion të madh, por përkundrazi, gjithçka lë të kuptohet se do t’u besojë sërish futbollistëve që e nisën nga minuta e parë ndaj bardhebluve. Një zgjedhje që lidhet edhe me dëshirën për të ruajtur vazhdimësinë dhe harmoninë e krijuar në lojën e kuqebluve.

Në portë pritet të jetë sërish Jukaj, i cili është shndërruar tashmë në një pikë të rëndësishme sigurie për skuadrën shkodrane. Edhe reparti i mbrojtjes duket i konsoliduar, me Bardhin në krahun e djathtë, Avdulin në të majtin, ndërsa në qendër pritet të formojnë dyshen Gurishta dhe Musta.

Përpara tyre, në dyshen me detyra kryesisht mbrojtëse në mesfushë, pritet të aktivizohen Dros dhe Mehmeti. Ndërkohë, roli i lojtarit më të avancuar të këtij reparti duket se do t’i besohet sërish Emanuel Obinës, i cili ka bindur me paraqitjet e tij të fundit dhe po fiton gjithnjë e më shumë besimin e trajnerit Lazslo.

Në krahët e sulmit, Murataj duket një zgjedhje e sigurt, ndërsa dilema e vetme e formacionit lidhet me balotazhin mes Uldedajt dhe Bizit. Dy futbollistët janë në garë për një vend në formacionin titullar, me vendimin përfundimtar që pritet të përcaktohet nga zgjedhjet taktike të teknikut hungarez.

Në majën e sulmit, si zakonisht, pritet të jetë kapiteni Bekim Balaj, të cilit Vllaznia do t’i besojë sërish detyrën për të udhëhequr repartin ofensiv. Kështu, në prag të sfidës me Vorën, kuqeblutë duket se do të ruajnë thuajse të njëjtën fytyrë si në suksesin ndaj Tiranës, me vetëm një pikëpyetje në formacionin e mundshëm.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments