FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREAfrimi i Hadrojit dhe rikthimi i Kastratit, ja si mund të ndryshojë...

Afrimi i Hadrojit dhe rikthimi i Kastratit, ja si mund të ndryshojë Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia pritet të fitojë dy alternativa të rëndësishme për vazhdimësinë e sezonit 2026-2027, me Hadrojin që tashmë do të jetë pjesë e skuadrës shkodrane dhe me rikthimin gradual të Lirim Kastratit në fushën e lojës. Dy futbollistët shihen si elementë që mund t’i japin më shumë forcë dhe cilësi formacionit kuqeblu, ndërsa, nëse arrijnë formën e tyre më të mirë, pritet të jenë kandidatë seriozë për një vend mes titullarëve.

Përfshirja e tyre në formacion mund të sjellë edhe ndryshime në rreshtimin e skuadrës, duke u lënë vend dy futbollistëve që kanë cilësitë për të ndikuar në lojën e shkodranëve. Natyrisht, gjithçka do të varet nga gjendja fizike dhe vlerësimi i trajnerit Csaba Laszlo, por ardhja e Hadrojit dhe rikthimi i Kastratit pritet t’i shtojnë alternativat në dy pozicione të rëndësishme.

Në portë, Jukaj duket se do t’a ruajë vendin e titullarit, ndërsa në qendër të mbrojtjes pritet të konfirmohet dyshja Gurishta-Musta. Për momentin, këta dy futbollistë duket se gëzojnë besimin e trajnerit hungarez për të përbërë boshtin e repartit difensiv. Ndërkohë, në krahun e majtë të prapavijës pritet të vazhdojë Avduli, ndërsa Hadroji shihet si kandidati kryesor për të marrë përsipër krahun e djathtë të mbrojtjes.

Edhe në mesfushë duket se po krijohet një strukturë më e qëndrueshme, me treshen Mehmeti-Dros-Murataj që pritet të vazhdojë të jetë baza e lojës së Vllaznisë. Aktivizimi i tyre synon t’i japë skuadrës ekuilibër dhe më shumë mundësi për të kontrolluar lojën, ndërsa ndryshimet kryesore pritet të përqendrohen në repartin ofensiv, aty ku rikthimi i Kastratit mund të sjellë një alternativë të rëndësishme në krahun e djathtë të sulmit.

Në majën e sulmit pritet të vazhdojë Bekim Balaj, ndërsa për një vend në formacion mbetet e hapur gara mes Uldedajt dhe Bizit. Zgjedhja e njërit prej tyre lidhet edhe me rregullin për aktivizimin e një futbollisti U-19, ç’ka e bën këtë pozicion të rëndësishëm në ndërtimin e formacionit. Në këtë mënyrë, Vllaznia mund të ruajë një pjesë të mirë të strukturës aktuale, duke ndërhyrë në ato zona ku ka nevojë për më shumë alternativa.

Sigurisht, ky mbetet një formacion hipotetik, pasi gjithçka do të varet nga gjendja e futbollistëve dhe vendimet e trajnerit Laszlo. Megjithatë, Hadroji dhe Kastrati shihen si dy elementë që mund t’i japin një shtysë të re skuadrës shkodrane. Nëse të dy arrijnë të rikthehen në nivelin e tyre më të mirë, Vllaznia mund të fitojë jo vetëm dy titullarë të mundshëm, por edhe më shumë konkurrencë brenda grupit për pjesën e mbetur të sezonit.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments