Shkruar nga Endri ÇINARI
Problemet në fazën defensive po kthehen në një shqetësim gjithnjë e më të madh për Vllazninë në sezonin 2026-27. Skuadra shkodrane po vijon të pësojë gola në vazhdimësi, duke treguar se prapavija mbetet një prej pikave më të dobëta të ekipit. Edhe në transfertën ndaj Skënderbeut, kuqeblutë nuk arritën t’a mbanin të paprekur portën, duke shtuar një tjetër gol në bilancin negativ të këtij sezoni.
Pas 11 javëve të para të kampionatit, Vllaznia ka pësuar plot 16 gola, një statistikë që e rendit me mbrojtjen e dytë më të dobët në Superiore. Vetëm Partizani qëndron më keq në këtë aspekt, me 21 gola të pësuar, ndërsa shifrat tregojnë qartë vështirësitë që kanë shoqëruar skuadrën kuqeblu në organizimin e fazës mbrojtëse.
Një tjetër tregues domethënës është edhe numri i vogël i ndeshjeve në të cilat Vllaznia ka arritur ta mbyllë takimin pa pësuar gol. Deri më tani, shkodranët kanë regjistruar vetëm dy ndeshje me portën e paprekur, pikërisht fitoren 1-0 ndaj Dinamos dhe suksesin 2-0 përballë Tiranës. Në të gjitha sfidat e tjera, kundërshtarët kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës, duke evidentuar mungesën e vazhdimësisë në prapavijë.
Por problematikat e Vllaznisë nuk kufizohen vetëm tek mbrojtja dhe pësimi i golave. Një tjetër statistikë që rëndon bilancin e skuadrës është edhe ecuria në transfertë, ku nëntë herë kampionët e vendit nuk arrijnë të gjejnë fitoren prej më shumë se gjashtë muajsh. Suksesi i fundit jashtë Shkodrës daton më 4 prill 2026, kur kuqeblutë mposhtën Partizanin me rezultatin 2-0, në një sfidë ku Kevin Dodaj realizoi dy golat e takimit.
Që prej asaj dite, Vllaznia nuk ka arritur të marrë tri pikët në asnjë transfertë, një statistikë që tregon vështirësitë e skuadrës për të qenë konkuruese larg stadiumit ‘Loro Boriçi’. Kombinimi i rezultateve negative jashtë fushe me numrin e lartë të golave të pësuar po e bën edhe më të vështirë rrugëtimin e shkodranëve në këtë edicion të Superiores.
Për trajnerin Csaba Laszlo dhe stafin e tij, situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme, veçanërisht në organizimin e repartit defensiv. Vllaznia ka nevojë të gjejë stabilitet në prapavijë, të minimizojë gabimet individuale dhe të rikthejë sigurinë në lojën mbrojtëse. Në të kundërt, këto problematika rrezikojnë të vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet e skuadrës, e cila duhet të reagojë sa më shpejt për të mos e komplikuar edhe më shumë sezonin.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


