FAQJA E PARE KRYESOREMegi Doçi - 'Mbretëresha' e golit, emblema dhe krenaria e futbollit të...

Megi Doçi – ‘Mbretëresha’ e golit, emblema dhe krenaria e futbollit të femrave në Shqipëri

Nga Ylvi RROJI

Ëndrra vazhdon…….

Megi Doçi është shumë më tepër se një futbolliste e talentuar. Ajo është një histori suksesi e jashtezakonshme, një simbol i këmbënguljes dhe sakrificës, një emër që ka ngritur lart futbollin e femrave në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë. Me golat, trofetë, rekordet dhe paraqitjet ndërkombëtare, ajo ka fituar një vend të veçantë në historinë e sportit Shqiptar.

Ka futbolliste që luajnë futboll, ka të tjera që shënojnë gola, por janë shumë të rralla ato që arrijnë të shkruajnë histori dhe të kthehen në simbole të një sporti siç është futbolli .Ajo është padyshim Megi Doçi, emri që prej vitesh identifikohet me suksesin, golin dhe madhështinë e futbollit të femrave në Shqipëri.

E lindur më 14 tetor 1996 në Burrel, Megi nisi një rrugëtim që nuk ishte aspak i lehtë. Që në fëmijëri, pasioni i saj për futbollin ishte më i madh se çdo paragjykim. Ndërsa të tjerët shihnin futbollin si një sport për djem, ajo shihte aty ëndrrën e saj. Një ëndërr për të cilën ishte e gatshme të linte familjen, vendlindjen dhe të përballej me vështirësitë e një jete të re.

Që në moshën 12-vjeçare u largua drejt Tiranës për të ndjekur pasionin e saj. Fillimet i pati me Dardaninë, për të vazhduar më pas me Tirana AS dhe Ada Velipojë. Me këtë të fundit fitoi 2 trofe Kampionatin e sezonit 2011-2012 dhe 2012-2013. Por ishte Vllaznia e Shkodrës, skuadra ku u bashkua në vitin 2013, që do të bëhej skena e madhe e karrierës së saj.

Sakrifica që ndërtoi kampionen

Pas golave, trofeve dhe duartrokitjeve të Megi Doçit fshihet edhe një histori sakrificash që pak njerëz e njohin. Ka pasur ditë kur është nisur drejt stërvitjes pa ngrënë, momente kur shqetësimet personale,familjare, lodhja apo ndjesia se nuk vlerësohej sa meritonte e kanë vënë në provë. Por ajo nuk u dorëzua kurrë. Ardhja te Vllaznia në vitin 2013 u bë një pikë kthese në karrierën e saj, vendi ku talenti gjeti hapësirën, besimin dhe vlerësimin që meritonte. Aty Megi nuk ndërtoi vetëm një karrierë të madhe, por u kthye në një kampione që sot frymëzon breza të tërë.

VLLAZNIA, shtëpia ku Megi shkroi historinë!

Me fanelën kuqeblu, Megi Doçi nuk u bë thjesht një futbolliste e rëndësishme, por një nga figurat më përfaqësuese të epokës më të suksesshme të Vllaznisë së femrave.

Kampionatet, Kupat e Shqipërisë, golat e panumërt dhe sukseset e njëpasnjëshme e kthyen atë në një nga futbollistet më të vlerësuara të vendit. Kontributi i saj në dominimin e Vllaznisë në futbollin Shqiptar është i jashtëzakonshëm.

Por ajo që e dallon Megin nga shumë të tjera është instinkti i jashtëzakonshëm për golin. Ajo ka një nuhatje të veçantë brenda zonës, shpejtësi, teknikë, personalitet dhe një uri të pashuar për të fituar.

Sezonin 2019-2020 realizoi plot 88 gola, një shifër e jashtëzakonshme që i dha çmimin prestigjioz “Këpuca e Artë” në Shqipëri. Një rekord që dëshmon më së miri potencialin e saj si një prej sulmueseve më produktive të futbollit të femrave.

Madje, në sezonet 2017-2018 dhe 2018-2019, ajo u vlerësua si golashënuesja më e mirë në botë nga platforma ndërkombëtare Futebol Feminino Alternativo. Një arritje që e nxori emrin e saj përtej kufijve të Shqipërisë.

NGA SHKODRA në arenën e madhe europiane!

Një tjetër kapitull i artë në karrierën e Megi Doçit është ai ndërkombëtar. Me Vllazninë, ajo përjetoi një nga momentet më të bukura të historisë së futbollit Shqiptar, kualifikimin në fazën e grupeve të UEFA Women’s Champions League. Një arritje historike për një klub Shqiptar, ku Megi ishte ndër protagonistet kryesore.Goli I artë i saj vendimtare në rrugëtimin drejt këtij suksesi mbetet një nga momentet që dëshmojnë karakterin dhe përgjegjësinë e një kampioneje të vërtetë.

Në vitin 2024, karriera e saj mori një tjetër dimension. Megi u transferua në Turqi, te gjigantët e Galatasaray, duke provuar veten në një tjetër ambient futbollistik dhe duke përfaqësuar futbollisten Shqiptare në një prej klubeve më të njohura të rajonit. Një përvojë e rëndësishme ndërkombëtare, që i shtoi një tjetër faqe të veçantë karrierës së saj.

FANELA KUQEZI, KRENARIA MË E MADHE!

Nëse Vllaznia është shtëpia e saj sportive, Kombëtarja Shqiptare është krenaria e saj më e madhe. Megi ka përfaqësuar Shqipërinë për shumë vite, duke u kthyer në një nga lojtaret më të rëndësishme të përfaqësueses dhe duke mbajtur edhe shiritin e kapitenes.

Për të, të veshësh fanelën kuqezi nuk është thjesht një detyrë sportive, por një emocion që nuk krahasohet me asnjë trofe. Himni kombëtar, flamuri Shqiptar dhe përgjegjësia për të përfaqësuar vendin janë motivimi i saj më i madh.

Me golat dhe eksperiencën e saj, ajo ka qenë një pikë referimi për Kombëtaren, duke treguar se futbollistet Shqiptare mund të konkurrojnë dhe të afirmohen edhe në arenën ndërkombëtare.

SAKRIFICA që fshihet pas çdo goli

Pas shkëlqimit të Megi Doçit qëndron një histori e madhe sakrifice. Largimi i hershëm nga familja, përshtatja me një jetë të re, paragjykimet ndaj vajzave që luanin futboll dhe përpjekjet për të kombinuar sportin me shkollimin janë pjesë e rrugëtimit të saj.

Ajo nuk u mjaftua vetëm me futbollin. Përfundoi studimet në Shkencat e Lëvizjes dhe Master Mesuesi, duke ndjekur paralelisht edhe formimin për trajnere përmes kursit të UEFA B. Ka pasur ditë kur pas mësimit vraponte në shtëpi, merrte ushqim te shpejte ne dore dhe nisej drejt stërvitjes, vetëm që të mos vonohej. Kjo është ana tjetër e kampiones, puna e heshtur, përkushtimi dhe disiplina që nuk shihen gjithmonë nga tifozët.

Megi është gjithashtu një mesazh i fuqishëm për çdo vajzë që dëshiron të merret me sport. Ajo është dëshmia se talenti, kur shoqërohet me guxim dhe këmbëngulje, mund të mposhtë paragjykimet dhe të arrijë majat.

NUMRI 11 – SHPIRTI DHE IDENTITETI I SKUADRËS

Megi nuk mbajti thjesht numrin 11 në fanelën e Vllaznisë dhe Kombëtares. Ajo i dha atij numri personalitet, identitet dhe histori. Me golat, lidershipin dhe përkushtimin, u kthye në një simbol që la gjurmë në futbollin Shqiptar.

MEGI DOÇI – instikti i golit dhe forca e sulmit

Megi Doçi aktivizohet kryesisht si sulmuesja qendrore, por luan me efektivitet edhe në krahun e majtë të sulmit, si te ekipit I Vllaznise ashtu edhe te Kombëtarja Shqiptare.

Megi Doçi- cilesite e saj te jashtezakonshme

Instinktin e lindur të golit.

Shpejtësinë dhe depërtimet në zonë.

Lëvizjet pa top dhe nuhatjen e hapësirave.

Teknikën dhe goditjen e saktë.

Karakterin luftarak dhe mentalitetin fitues.

Megi është një sulmuese që nuk pret vetëm topin, por kërkon golin, krijon rrezik dhe merr përgjegjësi në momentet vendimtare të ndeshjes.

MEGI DOÇI – Karakteristikat kryesore si futbolliste:

Shpejtësia
Depërton me shpejtësi dhe krijon hapësira në mbrojtjen kundërshtare.

Teknika
Ka kontroll të mirë të topit dhe zotëron goditje të forta.

Instinkti i golit
Ka nuhatje të veçantë për të gjetur pozicionin e duhur për shënim.

Goditjet nga distanca
Rrezikon portën edhe jashtë zonës së rreptësisë.

Guximi
Nuk ngurron të marrë përsipër aksionet vendimtare.

Karakteri
Luftëtare,këmbëngulëse, me disiplinë dhe mentalitet fituesi.

Veçantia e saj është kombinimi i instinktit të golit, teknikës dhe karakterit luftarak, cilësi që e kanë kthyer në një nga emrat më të spikatur të futbollit Shqiptar të femrave.

MEGI DOÇI – GOLASHËNUESJA HISTORIKE E SHQIPËRISË

Megi Doçi golashënuesja më e mirë në historinë e Kombëtares Shqiptare të femrave. Megi Doçi, kapitenia dhe golashënuesja historike e Kombëtares Shqiptare, me 25 gola në 74 paraqitje (shifrat nuk janë plotësisht të konfirmuara), një rekord që dëshmon peshën dhe kontributin e saj në futbollin Shqiptar të femrave.

Megi Doçi nuk është vetëm një golashënuese e madhe. Ajo është një ambasadore e futbollit të femrave, një krenari për Vllazninë, një vlerë për Shkodrën dhe një emër që ka kontribuar për ta bërë më të njohur futbollin Shqiptar përtej kufijve.

Në një kohë kur sporti ka nevojë për modele frymëzuese, historia e saj është një shembull që duhet treguar dhe përcjellë te brezat e rinj. Sepse rekordet mund të thyhen, trofetë mund të fitohen nga të tjera, por vendi që një kampione zë në zemrat e tifozëve dhe në historinë e klubit të saj është diçka krejt tjetër.

Megi Doçi është një emër, një histori dhe një krenari ! Është mbretëresha e golit, një prej simboleve më të mëdha të Vllaznisë së femrave dhe një nga ambasadoret më të denja të futbollit Shqiptar.

Një kampione që nuk ka mbaruar së shkruari historinë e saj

Arritjet e Megi Doçit, emblemes se futbollit shkodrane e shqiptar:

2013 Bashkohet me Vllazninë

2017-2018 dhe 2018-2019- Vlerësohet si golashënuesja më e mirë në botë nga “Futebol Feminino Alternativo”

2019-2020- Shënon 88 gola dhe fiton “Këpucën e Artë” shqiptare.

2022- Protagoniste në kualifikimin historik të Vllaznisë në fazën e grupeve të Champions League.

2024- Transferohet ne forme huazimi te Galatasaray në Turqi dhe shpallet kampione e Turqisë.

2025-2026- fiton sërish titullin e golashënueses më të mirë me 47 gola.

MEGI DOÇI – PROTAGONISTE NË ARENËN EUROPIANE

Vllaznia e femrave u përball me Chelsea-n, Real Madrid në fazën e grupeve të UEFA Women’s Champions League, sezonin 2022–2023.
Ne kompeticionin me te rendesishem per klubet e futbollit te femrave. U zhvilluan dy ndeshje. Megi Doçi ishte titullare në të gjitha takimet, me fanelën me numrin 11-te Një moment historik për një futbolliste Shqiptare, këto janë përvoja që shënojnë karrierën.

Megi Doçi ka qenë një nga figurat kryesore të Vllaznisë në UEFA Women’s Champions League, ku ka përfaqësuar futbollin Shqiptar për disa sezone.

Skuadrat kundërshtare në fazën e grupeve 2022/2023:

Real Madrid – Spanjë
Chelsea – Angli
Paris Saint-Germain – Francë

Vllaznia u bë skuadra e parë Shqiptare e femrave që arriti në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.

Goli i artë i Megi Doçit

Në rrugëtimin historik drejt fazës së grupeve, Megi shënoi një gol shumë të rëndësishëm në ndeshjen kundër Vorskla-Kharkiv-2, më 21 shtator 2022, në barazimin 1-1. Ky gol ndihmoi Vllazninë në kualifikimin historik. Në fazën e grupeve, ajo luajti edhe kundër Real Madridit, duke shënuar në minutën e 5-të në ndeshjen e luajtur në Madrid.

Megi Doçi nje emer qe ka fituar vendin ne historine e sportit shqiptar

Kampionatet, Kupat, Këpucët e Arta, vlerësimet individuale, sukseset europiane dhe përfaqësimi i Shqipërisë janë pjesë e një karriere që meriton respekt dhe admirimin e të gjithëve.

Revista e klubit te Çelsit ka rezervuar nje faqe kushtuar ekipit te femrave te Vllaznise ne veçanti nje faqe per Megi Doçin e ka quajtur.
“makineri golash”

Një sulmuese që ka lënë gjurmë jo vetëm në futbollin Shqiptar, por edhe në historinë europiane të Vllaznisë !

AFRO 1000 GOLA -MBRETERESH, nje rekord I jashtezakonshem i nje kapiteneje ne historine e Vllaznise e Kombetares Shqiptare !

Megi Doçi ka shenuar 842 gola deri tani ne Kampionatin shqiptar

Megi Doçi ka shënuar 61 gola në Kupën e Shqipërisë,me fanelën e Vllaznise 59 gola dhe 2 gola me fanelën e Ada Velipojes.

Megi Doçi kampionia qe nuk ndalet…

Megi Doçi me Vllaznise ka fituar
12 Tituj Kampion te Shqiperise
10 Kupa te Shqiperise22 trofe madhor

Megi Doçi është shpallur disa herë golashënuesja më e mirë e kampionatit Shqiptar të femrave,

Po ashtu disa herë fituese e Këpucës së Artë në Shqipëri ,një arritje e jashtëzakonshme !

786 gola në kampionatin Shqiptar me Vllaznine
61 gola në Kupën e Shqipërisë me Vllazninë
një shifër që dëshmon madhështinë e Megi Doçit.

Megi Doçi ne ndeshjet zyrtare të UEFA-s, ka shënuar 14 gola për Vllazninë në UEFA Women’s Champions League, duke qenë keshtu golashënuesja më e mirë në historinë europiane të klubit me fanelën e Vllaznise. Po ashtu edhe 2 gola në Uefa Europa Cup.


Ajo është golashënuesja më e mirë në historinë e Kombëtares Shqiptare, kapitenia e rekordeve që dëshmon peshën dhe kontributin e saj në futbollin Shqiptar të femrave.

MEGI DOÇI – NJË HISTORI E JASHTËZAKONSHME SUKSESI

Per Megi Doçin Tre zëra, nje vleresim, krenaria e futbollit Shqiptar

Presidenti Lazer Matia për Megi Doçin:

“Megi është histori suksesi! Është fat i madh për këtë brez futbollistesh, për ne, për Vllazninë dhe për gjithë futbollin Shqiptar të femrave që patëm dhe vazhdojmë të kemi një lidere si ajo, e cila na udhëhoqi drejt fitoreve dhe trofeve. Një Megi do t’u mungojë brezave që vijnë, por jam i bindur se ato do të ecin mbi gjurmët dhe sukseset e saj.

Megi Doçi është një kapitull i artë në historinë e Vllaznisë dhe Kombëtares Shqiptare. Me talentin, karakterin dhe mentalitetin fitues, ajo u bë më shumë se kapitenia,shpirti dhe simboli i një brezi kampion”.

Nikolin Leka tranieri i Vllaznise femra për Megi Doçin:

“Megi është një futbolliste e rrallë, një lidere e lindur dhe një kapitene me personalitet të jashtëzakonshëm. Profesioniste shembullore, me talent, karakter dhe mentalitet fitues. Ajo bën diferencën në fushë, frymëzon shoqet e skuadrës dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Vllaznisë. Megi është një emër që nuk matet vetëm me gola e trofe, por me historinë që ka ndërtuar”.

Armir Grima tranieri I Ekipit Kombetar Femra per Megi Doçin:

“Megi Doçi është kapitenia e Kombëtares Shqiptare, një futbolliste me klas, një golashënuese e lindur dhe një pikë referimi për futbollin e femrave në Shqipëri. Ajo ka personalitetin e një lidereje, besimin te vetja dhe aftësinë për të bërë diferencën në momentet vendimtare. Një emër që i ka dhënë shumë futbollit të femrave në vendin tonë. Kam vlerësimin maksimal për një emër dhe një emblemë të futbollit të femrave në Shqipëri”.

Megi Doçi – Një yll që nuk shuhet

Megi Doçi nuk është thjesht një emër në futbollin Shqiptar, është një standard suksesi ! Një kampione që golat i ktheu në histori, fanelën kuqeblu në krenari dhe talentin në identitet. Megi Doçi është një nga ambasadoret më të denja të futbollit Shqiptar. Respekt për kampionen, krenari për Shkodrën, admirim për Megin !

Ëndrra vazhdon……..

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments