Situata kritike e ekipit të volejbollit të femrave të Vllaznisë vazhdon të rëndoheet gjithnjë e më shumë. Pasditen e sotme ajo është mundur edhe nga Dinamo, skuadër me të cilin ndanin fundin e renditjes dhe tashmë ky fund i takonn vetëm shkodraneve që koleksionuan humbjen e 6-të rradhazi në po aq takime të luajtura.
Ndeshja me Dinamon është luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës dhe është fituar nga ekipi mik me rezultatin e pastër 3-0. Duhet thënë se deri diku dy setet e para janë shoqëruar me rivalitet, por në fund kanë qenë dinamovitet që i kanë fituar ato në shifrat 25-23 dhe 25-22.
Ndërkohë seti i tretë ka qenë thjesht një formalitet për t’u kryer sepse Vllaznia shënoi vetëm 11 pikë përballë 25 të Dinamos dhe në këtë mënyrë gjithçka është mbyllur me një fitore të pastër të të gjithë ndeshjes nga ekipi mik.
Ekipi shkodran kësisoj koleksionon humbjen e gjashtë në po kaq ndeshje dhe ajo çka është më e keqja, ai ka fituar vetëm një set në gjithë këto takime dhe kjo e bën padyshim edhe më të vështirë vazhdimësinë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


