Shkruar nga Endri ÇINARI
North United ka realizuar një tjetër përmbysje spektakolare në Kategorinë e Tretë, duke marrë një fitore me shumë peshë në transfertën ndaj Tirana B. Skuadra shkodrane, e drejtuar nga Erjon Mani, e nisi ndeshjen në mënyrën më të keqe të mundshme, duke e parë veten në disavantazhin e tre golave që në minutën e 27-të.
Në atë moment, gjithçka dukej e vendosur dhe North United ishte shumë pranë një disfate të thellë. Megjithatë, skuadra shkodrane nuk u dorëzua dhe reagimi nisi në fundin e pjesës së parë. Areola riktheu shpresën në minutën e 40-të, ndërsa vetëm tri minuta më vonë Ymeraj ngushtoi diferencën në 3-2, duke i dhënë një tjetër dimension takimit.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë North United u shfaq me një ritëm krejt tjetër. Shkodranët nisën të besonin te përmbysja dhe presioni i tyre do të shpërblehej në minutën e 61-të, kur Akintolu realizoi golin e barazimit, duke e kthyer ndeshjen në një betejë të hapur.
North United nuk u mjaftua me barazimin dhe vazhdoi të kërkonte fitoren. Në minutën e 73-të erdhi edhe momenti kulmor i përmbysjes, me Pukën që dërgoi topin në rrjetë për 3-4. Një përmbysje e jashtëzakonshme, sidomos duke pasur parasysh se shkodranët ishin tre gola prapa pas vetëm 27 minutash lojë.
Kështu, North United merr një tjetër fitore të rëndësishme dhe konfirmon karakterin e këtij ekipi në startin e kampionatit. Me 4 pikë të grumbulluara në dy ndeshjet e para, skuadra e Erjon Manit po i jep një nisje mjaft premtuese aventurës së saj në Kategorinë e Tretë, duke treguar se edhe kur situata duket e pashpresë, ajo di të reagojë deri në fund.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


