Shkruar nga Endri ÇINARI
E fortë me të fortët, por me luhatje ndaj rivalëve të tjerë. Ky është një nga paradokset që ka shoqëruar Vllazninë në javët e fundit të kampionatit, sidomos pas ardhjes së trajnerit Csaba Laszlo në krye të skuadrës. Kuqeblutë kanë treguar se dinë të përballen dhe të fitojnë ndaj kundërshtarëve me emër, duke marrë rezultate që dëshmojnë karakter dhe organizim.
Që prej debutimit të trajnerit hungarez, Vllaznia ka mposhtur Dinamon me rezultatin 1-0, Tiranën 2-0 dhe së fundmi Elbasanin 1-0. Tre fitore ndaj skuadrave që konsiderohen rivale direkte, ndërsa një tjetër element që bie në sy është fakti se shkodranët nuk kanë pësuar gol në asnjërën prej këtyre ndeshjeve. Një tregues i qartë se ndaj ekipeve të forta, Vllaznia di të jetë kompakte dhe efikase.
Megjithatë, panorama ndryshon kur përballë janë skuadra që në letër konsiderohen më të kapshme. Përveç humbjes 3-1 ndaj Egnatias, kuqeblutë janë mundur 2-1 nga Vora dhe kanë barazuar 1-1 me Skënderbeun. Dy rezultatet e fundit janë veçanërisht domethënëse, pasi bëhet fjalë për kundërshtarë ndaj të cilëve Vllaznia pritej të merrte më shumë.
Kjo luhatje në rezultate tregon se skuadra e Laszlos ende nuk e ka gjetur vazhdimësinë. Kur kundërshtari është i fortë, Vllaznia duket se motivohen më shumë, luan më e përqendruar dhe arrin të shfrytëzojë më mirë momentet e saj. Ndërsa ndaj ekipeve që konsiderohen më poshtë në hierarki, kuqeblutë kanë hasur më shumë vështirësi dhe kanë lënë pikë të rëndësishme.
Pikërisht ky është një aspekt që duhet korrigjuar në vazhdim të kampionatit. Për një skuadër me objektiva dhe me historinë e një 9-herë kampioneje të vendit, nuk mjafton të marrë rezultate ndaj rivalëve të mëdhenj. Pikët ndaj ekipeve që konsiderohen më të dobëta janë po aq të rëndësishme dhe shpesh përcaktojnë pozicionin në renditje.
Vllaznia ka treguar tashmë se ka mundësi të rivalizojë dhe të mposhtë edhe skuadrat e forta të kampionatit. Sfida e radhës për Laszlon është që kjo forcë të shfaqet me të njëjtin intensitet edhe në përballjet ku Vllaznia shihet si favorite. Vetëm duke eliminuar këto luhatje, shkodranët mund të ndërtojnë një ecuri më të qëndrueshme dhe të mos humbasin pikë aty ku, të paktën në letër, duhet të jenë më të fortë.


