Revista italiane Sport Week, botim i gazetës prestigjioze La Gazzetta dello Sport, i ka kushtuar të shtunën plot gjashtë faqe të ilustruara me shtatë fotografi futbollistit të Cesena-s dhe Kombëtares shqiptare, Cristian Shpendi.
Autori Andrea Barilaro, krahas prezantimit të familjes Shpendi, ka zhvilluar një intervistë mjaft personale me sulmuesin e Serisë B. Me modesti, Cristian shprehet se nuk është i vetmi që mban peshën e repartit ofensiv në këtë kampionat.
Gazetari italian prek ndjenjat e Shpendit kur e pyet për prindërit.
“Luaj futboll vetëm për familjen. Nëna dhe babai kanë bërë shumë sakrifica. Shpresoj të jenë të kënaqur me mua”, shprehet ai.
Kur flet për jetën në Romagna dhe identitetin e tij shqiptar, Shpendi jep këtë vlerësim:
“Është fantastike! Tashmë jam bërë një romanjol i vërtetë. Respekti ka shumë rëndësi, pavarësisht moshës së personit që ke përballë. Për këtë u jam mirënjohës prindërve të mi”.
Po si italian? – e pyet gazetari.
“Si italian është diçka tjetër. Në radhë të parë është kultura”.
Cesena në Serinë A?
Cristian përgjigjet: “Nëse arrijmë të ngjitemi në Serinë A së bashku me Stivenin, kjo do të ishte një ëndërr”.
Më pas, gazetari ndalet te marrëdhënia mes dy vëllezërve, Cristian dhe Stiven Shpendi. Cristian flet pa rezerva:
“Jemi të dy simpatikë dhe njësoj të fortë, aty-aty. Kur njëri merr avantazh, tjetri i përgjigjet menjëherë”.
A ka konkurrencë mes jush? – vijon gazetari.
“Po, sigurisht! Bëjmë xhonglime me topin dhe më pas gjuajmë fort drejt njëri-tjetrit”.
Preferenca në ushqim?
“Piadina, vetëm piadina me sallam!”
Interesante janë edhe përgjigjet e Cristianit kur pyetet për preferencat e tij mes sulmuesve më të njohur të futbollit botëror.
- Teknika: Benzema.
- Driblimi: Neymar.
- Forca: Ronaldo, portugezi CR7.
- Këmba e djathtë: Gjithmonë Ronaldo.
- Këmba e majtë: Messi.
- Loja me kokë: CR7.
- Instinkti i golashënuesit: Përsëri CR7, idhulli im!
Po cilin sulmues ndjek në Serinë A?
“Lautaron, për golat, vendosmërinë dhe karakterin. E studioj shumë”.
Dhe në fund, Cristian rikthehet te ëndrra që dëshiron të realizojë së bashku me vëllanë e tij Stiven: ngjitja e Cesena-s në Serinë A.
Përgatiti me shkurtime: NAMIK MEHMETI
Firence


