FAQJA E PARE KRYESORELEGJENDAT E GOLIT SHKODRAN – NJË SHEKULL HISTORI, NJË THESAR EMRASH, NJË...

LEGJENDAT E GOLIT SHKODRAN – NJË SHEKULL HISTORI, NJË THESAR EMRASH, NJË KRENARI E PËRJETSHME!

Shkruar nga Ylvi RROJI

Emrat e mëdhenj të historisë së golit me Vllazninë

PALOKË NIKA – THEMELUESI, KAPITENI DHE PIONIERI I VLLAZNISË!

Palokë Nika (1919–1922)

Një nga themeluesit e Vllaznisë në vitin 1919, kapiteni dhe trajneri i parë i saj. Ishte një nga pionierët e futbollit shqiptar, me përvojë futbollistike të fituar edhe në Itali.

Spikati për aftësitë organizative, lidershipin dhe njohjen e rregullave të lojës. Në ato vite ishte ndër golashënuesit më të mirë.

Ai mbetet një nga figurat themeluese të historisë së futbollit shkodran dhe shqiptar.

PREKË GJELOSHI – KAPITENI LEGJENDAR I VLLAZNISË!

Prekë Gjeloshi (1940–1955)

Një nga mbrojtësit më të njohur të historisë së Vllaznisë, i cili mbajti shiritin e kapitenit për rreth 15 vite. Dallohej për forcën fizike, qetësinë, shpejtësinë, vendosjen taktike dhe aftësinë për të organizuar repartin e mbrojtjes.

Ishte pjesë e formacionit të Vllaznisë që fitoi titujt kampionë të viteve 1945 dhe 1946, si dhe pjesë e Kombëtares shqiptare në ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare, Shqipëri–Mali i Zi (5-0), në vitin 1946.

Edhe në ato vite, emri i tij lidhej me golat dhe kontributin e rëndësishëm në skuadër.

Nga Palokë Nika e Prekë Gjeloshi, te Loro Boriçi e deri te Bekim Balaj, breza futbollistësh që e kthyen golin në histori dhe krenari kuqeblu!

Në Shkodër, futbolli nuk ka qenë kurrë thjesht një lojë. Ai është traditë, identitet, pasion dhe pjesë e pandashme e jetës së qytetit. Për më shumë se një shekull, fanela kuqeblu ka mbajtur mbi supe historinë e brezave që kanë shkruar emrin e tyre në futbollin shqiptar.

Mes qindra futbollistëve që kanë përfaqësuar Vllazninë, një vend të veçantë zënë ata që kanë ditur të bëjnë diferencën me golat e tyre. Sulmues, mesfushorë dhe futbollistë me talent të jashtëzakonshëm, të cilët kanë dhuruar emocione dhe kanë vendosur fatin e shumë ndeshjeve.

LORO BORIÇI – SIMBOLI I NJË EPOKE

Një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar është padyshim Loro Boriçi. Ai debutoi me Vllazninë në moshën 14-vjeçare dhe u bë një nga futbollistët më të spikatur të brezit të tij.

Në vitin 1939, në ndeshjen kundër Spartak Tiranës, shënoi tri gola brenda katër minutave, një episod që mbeti pjesë e historisë së futbollit shqiptar.

Loro Boriçi nuk ishte vetëm një golashënues, por një figurë që i dha emër futbollit shkodran dhe shqiptar.

RAMAZAN RRAGAMI, MEDIN ZHEGA DHE SABAH BIZI – BREZI I ARTË

Vitet ’60 dhe ’70 sollën një brez të jashtëzakonshëm futbollistësh, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Vllaznisë.

Ramazan Rragami – Legjenda e mesfushës kuqeblu

Ramazan Rragami debutoi me Vllazninë në vitin 1961, në moshën 16-vjeçare. Pas një periudhe te Partizani (1965–1968), u rikthye në Shkodër dhe luajti me Vllazninë deri në fund të sezonit 1974–1975.

Me fanellën kuqeblu fitoi dy tituj kampionë (1971–1972 dhe 1973–1974) dhe një Kupë të Shqipërisë (1971–1972).

I paharruar mbetet edhe për historinë e penalltive, kur në finalen e Kupës së vitit 1972 realizoi pesë penallti radhazi në serinë vendimtare, një rekord që çoi në ndryshimin e rregullores.

Ramazan Rragami është një emër i madh i futbollit shkodran, që bashkoi talentin, lidershipin dhe historinë me fanellën kuqeblu.

Medin Zhega – Golashënuesi i madh me fanellën kuqeblu

Medin Zhega luajti me Vllazninë në periudhën 1963–1979, me një ndërprerje gjatë aktivizimit te Dinamo. Ishte një sulmues me nuhatje të jashtëzakonshme për golin, teknikë dhe instinkt të rrallë realizues.

Me Vllazninë fitoi tre tituj kampionë (1971–1972, 1973–1974 dhe 1977–1978) dhe katër Kupa të Shqipërisë (1965, 1972, 1979 dhe 1981). Shënoi edhe golin historik ndaj Austrisë së Vjenës në vitin 1978.

Medin Zhega mbetet një nga golashënuesit më të mëdhenj të historisë së futbollit shkodran, një emër që zë një vend të veçantë në historinë e Vllaznisë.

Sabah Bizi – Legjenda e mesfushës dhe mbrojtjes kuqeblu

Sabah Bizi u aktivizua me Vllazninë nga viti 1965 deri në vitin 1982, me një ndërprerje trevjeçare te Partizani gjatë shërbimit ushtarak.

Ishte një futbollist me klas të veçantë, që luajti si sulmues, mesfushor dhe më pas si qendërmbrojtës.

Me Vllazninë fitoi tre tituj kampionë (1971–1972, 1973–1974 dhe 1977–1978) dhe katër Kupa të Shqipërisë (1965, 1972, 1979 dhe 1981).

Një figurë e jashtëzakonshme e futbollit shkodran, kapiten dhe protagonist i brezit të artë të Vllaznisë.

PAULIN NDOJA – GARDIANI I PORTËS KUQEBLU!

Paulin Ndoja ishte një nga portierët e shquar të Vllaznisë në vitet 1965–1973. Ai fitoi Kupën e Shqipërisë në vitin 1965 dhe dy trofe në sezonin 1971–1972: kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë.

Karriera e tij u ndërpre në kulmin e saj, por emri mbeti pjesë e historisë së portës shkodrane.

ASTRIT HAFIZI, FERIT RRAGAMI, LUAN VUKATANA, FATBARDH JERA, HYSEN ZMIJANI DHE HYSEN DEDJA – KLASI I VITEVE ’80

Vitet ’80 sollën një brez të talentuar futbollistësh, që la gjurmë të rëndësishme në historinë e Vllaznisë.

Astrit Hafizi – Futbollist me klas, kampion me Vllazninë

Astrit Hafizi luajti me Vllazninë në periudhën 1975–1984, pas aktivizimit me Shkëndijën e Tiranës.

Ishte pjesë e brezit të artë kuqeblu, duke fituar dy tituj kampionë, në sezonet 1977–1978 dhe 1982–1983, si dhe dy Kupa të Shqipërisë, në sezonet 1978–1979 dhe 1980–1981.

Një mesfushor me teknikë, vizion dhe inteligjencë loje, që la gjurmë në historinë e Vllaznisë.

Një detaj i veçantë: Në përballjen europiane me Austrinë e Vjenës, në vitin 1978, shënoi golin e parë të Vllaznisë në atë përballje historike.

Ferid Rragami – “Ujku” i futbollit shkodran

Ferid Rragami e nisi karrierën me Shkëndijën e Tiranës, kaloi te Vllaznia në vitin 1976, luajti për tre sezone me Partizanin dhe u rikthye te Vllaznia në vitin 1981, ku e mbylli karrierën në vitin 1990.

Trofe me Vllazninë:

  • Një titull kampion (1982–1983).
  • Dy Kupa të Shqipërisë (1980–1981 dhe 1986–1987).

Ferid Rragami ishte një futbollist me personalitet dhe klas të veçantë, pjesë e brezit të artë të Vllaznisë së viteve ’80, një emër që meriton të kujtohet në historinë e futbollit shkodran.

Luan Vukatana – Talenti që la gjurmë në historinë e Vllaznisë

Një emër i madh i futbollit shkodran.

Luan Vukatana ishte një nga futbollistët më të spikatur të Vllaznisë gjatë viteve 1975–1987. I aktivizuar që në moshë të re, ai u dallua për talentin, teknikën dhe kontributin e tij në repartin ofensiv.

Gjatë periudhës me kuqeblutë regjistroi rreth 200 ndeshje dhe 40 gola.

Në karrierën e tij me Vllazninë fitoi pesë trofe:

  • Dy tituj kampionë (1978 dhe 1983).
  • Tri Kupa të Shqipërisë (1979, 1981 dhe 1987).

Karrierën futbollistike e mbylli në vitin 1987, duke lënë pas një kontribut të rëndësishëm në historinë e Vllaznisë. Në vitin 1983 u vlerësua si sportisti më i mirë i Shqipërisë në anketën sportive të atij viti.

Luan Vukatana mbetet një nga emrat që meriton të kujtohet me respekt në historinë e futbollit shkodran.

Fatbardh Jera – “Xholi” i Vllaznisë së artë

Fatbardh Jera luajti me Vllazninë nga viti 1979 deri në vitin 1990, për 11 sezone.

Futbollist shumëdimensional, i aftë të luante në disa pozicione, ai shënoi 17 gola në kampionat dhe fitoi një titull kampion (1982–1983) dhe tri Kupa të Shqipërisë (1978–1979, 1980–1981 dhe 1986–1987).

Ishte pjesë e 11-shes më të mirë të Vllaznisë për 90-vjetorin e klubit.

Një futbollist me shumë vlera, që me fanellën kuqeblu la gjurmë në një nga periudhat e rëndësishme të historisë së Vllaznisë.

Hysen Zmijani – Mjeshtri i krahut të djathtë

Hysen Zmijani, një nga mbrojtësit e djathtë më të shquar në historinë e Vllaznisë dhe të futbollit shqiptar, debutoi me ekipin e parë në shtator të vitit 1981 dhe luajti deri në vitin 1991.

Me fanellën kuqeblu fitoi një titull kampion (1982–1983) dhe një Kupë të Shqipërisë (1986–1987).

Ishte gjithashtu futbollisti i parë shqiptar që firmosi zyrtarisht me një klub të huaj pas rënies së komunizmit.

Një emër që la gjurmë me cilësinë, forcën dhe besnikërinë ndaj fanellës kuqeblu.

Hysen Dedja – Mbrojtës i fortë dhe kapiten me autoritet

Hysen Dedja (Seri) ishte një mbrojtës i krahut të majtë, i dalluar për lojën solide, disiplinën taktike, korrektësinë dhe besueshmërinë në fushë.

Ishte një futbollist i rregullt, me karakter të fortë sportiv dhe me shumë pak ndëshkime gjatë karrierës.

Si kapiten i Vllaznisë për tetë vite (1988–1995), spikati për autoritetin, qetësinë, përgjegjësinë dhe aftësinë për të bashkuar skuadrën. Ishte një lider që e përfaqësonte fanellën kuqeblu me dinjitet.

Hysen Dedja (Seri) – Pesë trofe me Vllazninë

Gjatë karrierës së tij me Vllazninë fitoi pesë trofe si futbollist:

  • Dy tituj kampionë (1982–1983 dhe 1991–1992).
  • Tri Kupa të Shqipërisë (1978–1979, 1980–1981 dhe 1986–1987).

Një kapiten që udhëhiqte më shumë me shembullin e tij sesa me fjalë.

GOLASHËNUESIT E NJË BREZI TË RI

Suad Lici, Edi Martini, Vioresin Sinani, Elvin Beqiri, Hamdi Salihi, Xhevahir Sukaj, Gilman Lika dhe Bekim Balaj janë emra që kanë shkruar kapituj të rëndësishëm në historinë moderne të golit kuqeblu.

Suad Lici – Futbollisti i shpirtit dhe i sakrificës

Suad Lici luajti me Vllazninë në periudhën 1992–2009, duke zhvilluar 314 ndeshje dhe shënuar 50 gola.

Futbollist shumëdimensional, u aktivizua si mbrojtës dhe mesfushor, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të brezit të tij.

Me Vllazninë fitoi:

  • Dy tituj kampionë (1997–1998 dhe 2000–2001).
  • Dy Superkupa të Shqipërisë (1998 dhe 2001).
  • Një Kupë të Shqipërisë (2007–2008).

Suad Lici: 50 gola, 314 ndeshje dhe pesë trofe me fanellën kuqeblu. Një emër që meriton vend në historinë e Vllaznisë!

Edi Martini – Këpuca e Artë e kampionatit shqiptar, sezoni 1993–1994!

Edi Martini u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar, duke realizuar 14 gola me fanellën e Vllaznisë.

Ai ishte gjithashtu golashënuesi më i ri shqiptar në sezonin 1992–1993, në moshën vetëm 18-vjeçare, me 14 gola të realizuar.

Edi Martini ishte një futbollist me teknikë, kreativitet dhe aftësi realizuese. Në periudhat e ndryshme të aktivizimit me Vllazninë, shënoi gjithsej 70 gola në kampionat.

Vioresin Sinani – Rekordmeni i golit

Në historinë e Vllaznisë, Vioresin Sinani meriton një kapitull të veçantë.

Ai është një nga golashënuesit më të mëdhenj të historisë së kampionatit shqiptar. Sipas statistikave të publikuara, ka realizuar 208 gola në kampionat gjatë karrierës së tij, prej të cilëve 178 me fanellën e Vllaznisë.

Tri herë ka fituar Këpucën e Artë të kampionatit shqiptar.

Vioresin Sinani përfaqëson një standard të lartë të sulmuesit dhe është një nga emrat më të rëndësishëm në historinë e golit në Shkodër.

Elvin Beqiri – Kapiteni dhe mbrojtësi lider i Vllaznisë

Elvin Beqiri u formua te Vllaznia dhe debutoi me ekipin e parë në fund të viteve ’90. U aktivizua deri në vitin 2003, kur kaloi në Ukrainë, ndërsa u rikthye në Shkodër në vitin 2008 dhe luajti sërish në periudhat 2009–2010 dhe 2012–2015.

Me Vllazninë fitoi dy tituj kampionë (1997–1998 dhe 2000–2001) dhe një Kupë të Shqipërisë (2007–2008).

Ish-kapiten i kuqebluve dhe futbollist i Kombëtares shqiptare, ishte një nga mbrojtësit më të spikatur të brezit të tij.

Elvin Beqiri ishte një mbrojtës me karakter, lider në fushë dhe produkt i futbollit shkodran.

Hamdi Salihi – Bomberi shkodran që e nisi rrugëtimin te Vllaznia

Hamdi Salihi është një nga sulmuesit më të njohur që ka nxjerrë futbolli shkodran në vitet 2000.

I lindur në Shkodër më 19 janar 1984, ai e nisi rrugëtimin e tij futbollistik në Akademinë e Vllaznisë dhe shumë shpejt u bë një nga sulmuesit më premtues të futbollit shqiptar.

Hamdi Salihi kaloi nga Akademia në ekipin e parë të Vllaznisë në vitin 2003.

Gjatë aktivizimit të tij me kuqeblutë regjistroi gjithsej 53 ndeshje dhe 30 gola.

Një detaj me rëndësi për historinë e Vllaznisë: Hamdi Salihi është shembull i sulmuesit shkodran që u formua në akademinë e klubit, shpërtheu me ekipin e parë dhe më pas ndërtoi një karrierë ndërkombëtare.

Ai i përket brezit të futbollistëve që dëshmuan se Shkodra vazhdonte të prodhonte sulmues të nivelit të lartë.

Xhevahir Sukaj – Instinkti i sulmuesit

Xhevahir Sukaj ishte një sulmues me forcë fizike, shpejtësi dhe instinkt të veçantë realizues.

Sulmuesi shkodran u aktivizua me Vllazninë në disa periudha: 2004–2008, 2009, 2011–2012 dhe 2017–2018.

Në kampionat regjistroi rreth 157 ndeshje dhe 53 gola.

Ishte fitues i Kupës së Shqipërisë në sezonin 2007–2008, ku shënoi edhe golin vendimtar në finale ndaj Tiranës.

Ai ishte një nga sulmuesit që u dhuruan tifozëve shkodranë emocione dhe gola të rëndësishëm.

Gilman Lika – Mesfushori që dinte të shënonte

Gilman Lika ishte një futbollist me teknikë dhe vizion loje, i cili luajti me Vllazninë në disa periudha të ndryshme të karrierës.

Mesfushori shkodran u aktivizua me Vllazninë në tri periudha: 2004–2008, 2014–2015 dhe 2017–2021, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Gilman Lika regjistroi rreth 150 ndeshje dhe 20 gola në të gjitha periudhat e aktivizimit me Vllazninë.

Ai ishte një nga emrat e rëndësishëm të futbollit shkodran në periudhën moderne.

Bekim Balaj – Vazhdimësia e traditës së golit

Në vitet e fundit, Bekim Balaj është kthyer në një nga figurat kryesore të Vllaznisë.

Me përvojën e fituar në kampionate të ndryshme dhe aftësinë për të shënuar në momentet vendimtare, ai ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit kuqeblu.

Deri më 12 nëntor 2026, statistikat e publikuara i atribuojnë 58 gola në kampionat me Vllazninë, që nga rikthimi i tij në vitin 2022.

MEGI DOÇI – MBRETËRESHA E GOLIT SHKODRAN!

Historia e golit në Shkodër nuk mund të shkruhet vetëm me emrat e futbollit të meshkujve.

Megi Doçi është një kapitull më vete.

Me Vllazninë, ajo ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme, duke fituar trofe, rekorde dhe vlerësime individuale.

Vetëm në kampionatin 2024–2025 realizoi 83 gola në 21 javë.

Statistikat e publikuara deri në shtator 2026 i atribuojnë 774 gola në kampionat me Vllazninë.

Ajo është një nga figurat më të rëndësishme të futbollit shqiptar të femrave dhe një simbol i suksesit të Vllaznisë.

NJË HISTORI QË NUK MBARON KURRË!

Nga Palokë Nika e Prekë Gjeloshi, te Loro Boriçi, Ramazan Rragami, Medin Zhega, Sabah Bizi e Paulin Ndoja; nga Astrit Hafizi, Ferit Rragami, Luan Vukatana, Fatbardh Jera, Hysen Zmijani dhe Hysen Dedja, te Suad Lici, Edi Martini, Elvin Beqiri, Vioresin Sinani, Hamdi Salihi, Xhevahir Sukaj, Gilman Lika dhe Bekim Balaj, e deri te Megi Doçi, historia e golit në Shkodër është një histori brezash.

Secili ka pasur kohën, stilin dhe kontributin e vet. Disa kanë vendosur rekorde, të tjerë kanë fituar trofe dhe shumë prej tyre kanë dhuruar emocione që nuk harrohen.

Golat janë momenti më i bukur i futbollit, por emrat që i kanë shënuar janë pjesë e përjetshme e historisë së Vllaznisë.

Sepse në Shkodër, historia nuk tregohet vetëm me trofe. Ajo tregohet edhe me gola!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments