Vllaznia në basketboll për meshkuj i ka bërë një start të shkëlqyer kampionatit të sivjetëm teksa deri më tani e ka bilancin 6/6. Që do të thotë se i ka fituar të gjitha ndeshjet e luajtura, madje edhe përballë rivalëve si Besëlidhja e Teuta. Në Shkodër të gjithë tashmë kanë filluar të ëndërrojnë titullin kampion, por në fakt trajneri Eni Llazani mendon ndryshe.
Në një prononcim të bërë në “Sport Show”, numri 1 i pankinës kuqeblu është shprehur se skuadra duhet të mendojë vetëm për ndeshjen e rradhës dhe asgjë më shumë sepse është shumë herët për të pretenduar për gjëra të tjera. Ja si është shpreehur Llazani:
“Sigurisht që jemi të kënaqur me paraqitjen e skuadrës deri tani me rezultatet pozitive që kemi arritur sepse nuk ke se çfarë bën më shumë. Por skuadra ka shumë oshilacione dhe ka ende shumë nevojë për t’u rritur në lojën e saj kolektive. Besoj se me kalimin e kohës do jemi diçka më mirë.
Duhet ta pranojmë se e kemi plotësuar skuadrën shumë vonë, e kemi filluar kampionatin dhe më pas kanë ardhur lojtarët dhe madje njëri prej lojtarëve të ardhur erdhi para ndeshjes me Besëlidhjen dhe luajti në atë ndeshje me vetëm 5 ditë stërvitje. Ne akoma nuk jemi ambientuar, një pjesë e mirë e lojtarëve nuk e njohin akoma kampionatin.
Megjithatë kemi një frymë shumë pozitive në skuadër dhe kjo na ka ndihmuar në momente të veçanta. Të gjithë në Shkodër pyesin a do dalim kampionë sivjet? Por për mua objektivi është stërvitja e rradhës dhe ndeshja e rradhës. Le t’i lëmë të gjitha gjërat madhore në sfond dhe të fokusohemi tek ajo që kemi përballë në këtë moment. Nëse qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mos kalojmë në vetëkënaqësi, besoj se do ia bëjmë më të lehtë vetes punën tonë”.
Vllaznia do të luajë në fundjavë ndaj Skënderbeut dhe padyshim që do të synojë fitoren e cila do të ishte e shtata rradhazi dhe do t’i linte kuqeblutë sërish në vendin e parë të renditjes.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


