BRAJAN GRUDA ZGJODHI GJERMANINË! PËR MUA BËRI ZGJEDHJE SHUMË PROFESIONALE, ME MENDJE DHE VIZION PËR TË ARDHMEN E TIJ! POR PARA SE TË GJYKOJMË FUTBOLLISTËT, LE TË SHOHIM ÇFARË U OFROJMË NE!
Nga këndvështrimi im profesional, një futbollist duhet të zgjedhë me mendje, jo vetëm me emocione. Gruda ka lindur, është rritur dhe është formuar në Gjermani. Nëse përpara tij është një projekt si Gjermania dhe, nga ana tjetër, sheh realitetin e futbollit shqiptar, natyrshëm fillon të peshojë seriozisht mundësitë për karrierën e tij.
Dhe këtu dua të ndalem te problemi i vërtetë!
Si mund t’i kërkojmë një talenti të zgjedhë Shqipërinë, kur sheh që në kombëtaren tonë mund të aktivizohen futbollistë që kanë kaluar periudha shumë të gjata pa ekip dhe pa ritëm konkurrues? Çfarë mesazhi profesional i japim një lojtari të ri që po ndërton karrierën në akademitë e Europës?
Unë njoh shumë futbollistë të rinj me potencial në Gjermani, Angli, Holandë, Belgjikë, Itali dhe vende të tjera. Me disa komunikoj pothuajse çdo ditë. Kam përcjellë emra dhe profile konkrete te njerëz të futbollit shqiptar, por nuk kam marrë as përgjigjen më minimale.
Dhe këtu lind një pyetje shumë serioze:
KU JANË SKAUTËT E FSHF-së? ÇFARË PUNE BËHET PËR TË NDJEKUR TALENTET SHQIPTARE NË EUROPË?
Skautingu nuk bëhet duke pritur që emrat t’i sjellin të tjerët. Nuk bëhet duke qëndruar në zyrë apo duke kaluar kohën në lokalet e Tiranës. Kërkon udhëtime, analiza, kontakte, raporte teknike, ndjekje të vazhdueshme dhe njohje reale të futbollistëve.
Madje, ajo që më ka habitur në disa raste është se, kur përcjell një emër dhe kërkon që një futbollist të vlerësohet, pyetja e parë që dëgjon nuk është gjithmonë për cilësitë, nivelin apo potencialin e tij, por: «Çfarë pune bën babai i këtij lojtari?» thon këta ordinerë që mezi kanë mbaruar klasën e 4 fillore për vete
A e kuptoni ku kemi arritur? Ne duhet të diskutojmë për cilësitë teknike, fizike, taktike dhe perspektivën e një futbollisti, jo për profesionin e babait të tij!
Pastaj, kur një djalë zgjedh Gjermaninë, dalin patriotët e tastierës, portalet dhe ekspertët e kafeneve. E quajnë tradhtar, e mallkojnë dhe e ofendojnë.
ËSHTË SHUMË E LEHTË TË GJYKOSH NJË FUTBOLLIST. SHUMË MË E VËSHTIRË ËSHTË TË PUNOSH PËR T’I DHËNË NJË ARSYE QË TË ZGJEDHË SHQIPËRINË!
Unë dua që çdo talent shqiptar në Europë të ketë mundësinë të përfaqësojë vendin e tij, por kjo nuk arrihet me presion emocional. Arrihet me profesionalizëm, meritë, kritere të qarta dhe një projekt që garanton perspektivë.
Një futbollist nuk duhet të zgjedhë me frikën se çfarë do të thonë njerëzit në Facebook. Duhet të zgjedhë duke menduar për karrierën, zhvillimin dhe të ardhmen e tij.
Dhe një gjë duhet ta kuptojmë të gjithë: patriotizmi nuk është të kërkosh llogari nga futbollisti që nuk të zgjodhi. Është të kërkosh llogari nga ata që kanë përgjegjësinë të ndërtojnë një sistem që i bind talentet të zgjedhin Shqipërinë.!
FUTBOLLI NUK ËSHTË TË BËSH SELFIE NËPËR STADIUME DHE TË BËSH PATRIOTIN NË RRJETET SOCIALE. FUTBOLLI ËSHTË PROFESION, ËSHTË ZANAT, ËSHTË PUNA ME TË CILËN NJË FUTBOLLIST SIGURON BUKËN E GOJËS!
* Agjent futbollistësh


