Vllaznia në basketboll për femra ka marrë një fitore me shumë vlerë pasditen e sotme në transfertë ndaj ekipit të Partizanit. Ndeshja në mes këtyre dy skuadrave është luajtur në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” dhe është fituar nga basketbollistet shkodrane me rezultatin 81-76.
Përballja ka filluar më mirë për ekipin e kuq i cili e mbylli periodën e parë me avantazhin 29-13, çka krijoi bindjen se ata mund të ishin më pranë fitores së kësaj ndeshje, por në fakt Vllaznia filloi të reagojë në periodën e dytë e cila u fitua prej saj me rezultatin 22-16, megjithatë ajo shkoi në pushimin e ndeshjes me një disavantazh prej 10 pikësh me Partizanin. Edhe perioda e tretë është disi e ekuilibruar dhe fitohet sërish nga ekipi shkodran 13-10, por duke qenë sërish në disavantazh.
Gjithçka do të vendosej në 10 minutat e fundit të ndeshjes, kur basketbollistet e drejtuara nga trajnerja Medina Mustafa e rrisin shumë lojën e tyre dhe e fitojnë atë me shifrat 33-21, çka ka sjellë edhe përmbysjen e rezultatin dhe në këtë mënyrë Vllaznia arriti ta fitonte krejt sfidën me një avantazh prej 5 pikësh.
Një meritë absolute në këtë fitore ka padyshim basketbollistja Bernada Rreshpja e cila shënoi plot 32 pikë, por nuk ka mbetur pas saj edhe Anisa Bokrina që shënoi 29 pikë. Shikohet qartë se çfarë roli kanë luajtur këto dy lojtare në këtë sukses duke shënuar 61 nga 81 pikët e ekipit. Pikët e tjera u shënuan nga Anisa Musaja (7), Ingrid Dashja (5), Melida Hykaj (5) dhe Medina Hykaj (3).
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


