Besëlidhja ka marrë njëv fitore me shumë vlerë ndaj Ilirisë kryesuese duke treguar edhe njëherë tjetër se do të jetë edhe ajo deri në fund një pretendente e fortë për ngjitjen në Superiore krahas disa skuadrave të tjera që kanë të njëjtin synim.
Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në stadiumin e Lezhës vendasit kanë arritur një fitore dramatike në shifrat 2-1 ku golin e fitores e kanë shënuar pikërisht në minutën e parë shtesë.
Në fakt kanë qenë fushë- krujasit që kanë shënuar të parët në minutën e 44-të me anë të sulmuesit Adeniyi dhe pjesa e parë kësisoj është mbyllur me avantazhin e tyre 1-0. Por ndeshja do të merrte rrjedhë tjetër në minutën e 60-të kur arbitri Enea Jorgji nxorri me karton të kuq Selmanin e Ilirisë.
Si rrjedhojë Besëlidhja do përfitonte nga superioriteti numerik duke barazuar fillimisht me Ogungbire ndërkohë që në minutën e 93-të do të shënonte edhe golin e fitores me anë të Ardit Hilës. Përfundimisht 2-1 për lezhjanët që ngjiten në kuotën e 17 pikëve duke qenë të pozicionuar në vendin e shtatë, por vetëm 4 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Besa dhe Iliria.
BESËLIDHJA 2-1 ILIRIA
69′ Ogungbire, 90+3′ Hila – 44′ Adeniyi


